Secondary Adv

3 mld euro garanci sovrane per bizneset qe tregtojne produktet e shportes

Këshilli i Ministrave ka miratuar garanci sovrane 3 miliardë lekë për bankat tregtare, për huadhënien e subjekteve që tregojnë me shumicë, produkte ushqimore bazë.

 

Sipas VKM-së, shuma e garancisë shtetërore që lëshohet në favor të secilës bankë tregtare do të përcaktohet nga ministri i Financave.

Vendimi i plotë:

 

Vendim për miratimin e garancisë shtetërore të huas me bankat tregtare për garantimin e huamarrjes së subjekteve, që tregtojnë me shumicë produkte ushqimore bazë për të mundësuar financimin e nevojshëm për mbajtjen e rezervave,

 

me qëllim përballimin e situatës së veçantë të krijuar në treg, si dhe për përcaktimin e kushteve dhe kritereve të marrëveshjes së garancisë dhe marrëveshjes së mirëkuptimit

 

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 3 e 38, të ligjit nr.9665, datë 18.12.2006, “Për huamarrjen shtetërore, borxhin shtetëror dhe garancitë shtetërore të huas në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, të nenit 57, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008,

 

“Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të pikës 2, të nenit 8, të aktit normativ nr.7, datë 18.3.2022, të Këshillit të Ministrave,

 

“Për transparencën dhe monitorimin e çmimit për disa produkte ushqimore bazë dhe produkte të tjera të lidhura me to si pasojë e situatës së veçantë të krijuar në treg”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave.

 

V E N D O S I:

Miratimin e linjës së garancisë shtetërore në vlerën 3 000 000 000 (tre miliardë) lekë, në favor të bankave tregtare, që ushtrojnë aktivitetin e tyre në territorin e Republikës së Shqipërisë, të cilat do të jenë pjesë e skemës së garancisë,

 

që do të mundësojë huadhënien për subjektet, që tregtojnë me shumicë, produkte ushqimore bazë, për të siguruar financimin e nevojshëm për të mbajtur rezerva për një periudhë 3-mujore ose në përputhje me jetëgjatësinë e produktit, me qëllim përballimin e situatës së veçantë, të krijuar në treg.

 

Linja e garancisë shtetërore do të lëshohet në favor të bankave tregtare, si më poshtë vijon: 

– Banka Kombëtare Tregtare, sh.a.;

– Banka Credins, sh.a.;

 

– Banka Raiffeisen sh.a., Albania;

– Banka OTP Albania, sh.a.

 

Ministri i Financave dhe Ekonomisë mundëson përcaktimin e shumave të garancisë shtetërore, që lëshohet në favor të secilës bankë tregtare, nëpërmjet marrëveshjeve të veçanta të garancisë, që do të lidhen me secilën prej bankave.

 

Marrëveshjet e garancisë janë sipas kushteve dhe kritereve të marrëveshjes tip, që i bashkëlidhet këtij vendimi.

 

Ministri i Financave dhe Ekonomisë mundëson, nëse rezulton e nevojshme, rialokimin e shumës së garancisë nga huadhënësi që nuk e ka ezauruar shumën e garancisë në favor të tij te huadhënësi, që e ka ezauruar atë plotësisht, duke ndryshuar për këtë qëllim edhe marrëveshjet e lidhura/nënshkruara të garancisë.

 

Autorizohet ministri i Financave dhe Ekonomisë për nënshkrimin e marrëveshjeve të garancisë me secilën nga bankat tregtare, të përcaktuara në pikën 2, të këtij vendimi.

 

Marrëveshja e mirëkuptimit, e cila nënshkruhet nga huamarrësi, përmban kushtet dhe kriteret sipas marrëveshjes tip të integruar si aneks në marrëveshjen tip të përcaktuar në pikën 3, të këtij vendimi.

 

Ministria e Financave mund të kërkojë këshillim/asistencë nga Banka e Shqipërisë gjatë implementimit të marrëveshjeve të garancisë. Ky bashkëpunim mund të rregullohet edhe nëpërmjet një memorandumi bashkëpunimi.

 

Ministri i Financave dhe Ekonomisë, me urdhër të posaçëm, mund të ngarkojë ndjekjen dhe administrimin e të dhënave të kësaj skeme garancie, duke përfshirë mbajtjen, përllogaritjen, rakordimin dhe raportimin e të dhënave nga punonjës të Agjencisë së Trajtimit të Kredive./Burimi:abcnews,al


Më të lexuarat