
Rritet kredia e re ne Prill, niveli me i larte i shtate viteve te fundit
Sipas Bankës së Shqipërisë, vlera e kredive të reja të disbursuara arriti në 23.4 miliardë Lekë, në rritje me 39% krahasuar me prillin e vitit të kaluar.
Për 4 muajt e parë të vitit, vlera e kredisë së re arriti në 89.2 miliardë Lekë, në rritje vjetore me 37%.
Kredia e re po shënon gjithashtu vlerat më të larta në të paktën shtatë vitet e fundit, duke konfirmuar një ecuri pozitive, pavarësisht risqeve të shtuara për të ardhmen të lidhura me inflacionin e lartë dhe fillimin e rritjes së normave të interesit.
Ecuria e kreditimit paraqitet pozitive në të gjitha segmentet kryesore të tregut, duke dëshmuar një bazë të gjerë rritjeje. Kontributin kryesor në rritjen e kredisë së re këtë vit po e japin ndërmarrjet private.
Statistikat tregojnë se kredia e re për bizneset e sektorit privat në katër muaj arriti vlerën e 58.6 miliardë Lekëve, në rritje me 48% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Kredia për biznesin paraqitet në rritje, si për nevojat afatshkurtra për kapital qarkullues, ashtu edhe për investime në makineri, pajisje dhe pasuri të paluajtshme.
Kjo tregon se rritja e kreditimit është nxitur sa nga rritja e volumit të aktivitetit dhe rritja e inflacionit, por edhe nga vijimësia e zgjerimit të investimeve.
Kredia ka shënuar rritje edhe në segmentin e korporatave publike, me 8% më shumë krahasuar me një vit më parë. Në këtë rast, kreditimi është i lidhur kryesisht me nevojat për importin e energjisë elektrike të kompanive të sektorit energjetik.
Megjithë rritjen, në katër muajt e parë të këtij viti, kredia për ndërmarrjet publike është në nivele më të ulëta krahasuar me tremujorin e fundit të vitit të kaluar dhe zë një peshë relativisht të vogël ndaj kredisë së re për ekonominë, me 4% të totalit.
Kredia për individët po vijon rritjen edhe këtë vit, duke u konfirmuar si segmenti me rritjen më të qëndrueshme të huasë gjatë viteve të fundit. Për 4 muaj, kredia e re për individë arriti në 26.6 miliardë Lekë, në rritje me 22.5% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Kredia për blerjen e pasurive të paluajtshme ngelet shtysa kryesore për rritjen e huadhënies tek individët dhe këtë vit po shënon vlerat më të larta historike. Megjithatë, paralelisht edhe kredia konsumatore po shfaq ecuri pozitive, megjithëse me ritme më të ngadalta të rritjes.
Në fund të muajit prill, portofoli i kredisë për ekonominë arriti vlerën e 690 miliardë Lekëve, në rritje vjetore me 12.1%. Ritmi i rritjes u përmirësua më tej krahasuar me muajin mars, kur qëndronte në nivelin 11.9%.
Ritmet më të larta të rritjes po regjistrohen në segmentin e kredisë për individë, ku portofoli i kredisë është zmadhuar me 14%, ndërsa në segmentin e bizneseve rritja është 9.2% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Burimi: Monitor https://www.monitor.al/kredia-e-re-u-rrit-edhe-per-prillin-eshte-ne-nivelet-me-te-larta-te-shtate-viteve-te-fundit/
Më të lexuarat








