Secondary Adv

Dyfishohet siperfaqja e lejeve ne Tirane, 2022 do sjelle nje tjeter rekord

Ndërsa viti 2021 shënoi rekordin e sipërfaqes së lejeve të ndërtimit të dhënë në kryeqytet, që pas viteve ’90, viti 2022 duhet se do sjellë një tjetër rekord.

 

INSTAT raportoi se sipërfaqja e lejeve të ndërtimit të dhënë në kryeqytet ishte 800 mijë metra katrorë, duke u dyfishuar në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë. 

 

Sipërfaqja e lejeve të dhëna në kryeqytet vetëm në tremujorin e parë të këtij viti, është sa gjysma e lejeve të dhëna për gjithë vitin 2021.

 

Pothuajse të gjitha ndërtimet janë përqendruar në kryeqytet, me sipërfaqen e dhënë në Tiranë, që përbën 77% të totalit të lejeve të dhëna për të gjithë vendin.

 

Vlera e përafërt e lejeve të ndërtimit miratuar për ndërtesa dhe punime inxhinierike në kryeqytet, sipas INSTAT është 28.7 miliardë lekë, ose 235 milionë euro. Vitin e kaluar, vlera totale e sipërfaqes së lejeve ishte 57.3 miliardë lekë, ose 470 milionë euro. 

 

Lejet e ndërtimit në Shqipëri

Sipas INSTAT, Në tremujorin e parë 2022 janë miratuar gjithsej 397 leje ndërtimi për ndërtesa të reja, nga 251 leje të miratuara në tremujorin e parë 2021, duke shënuar një rritje prej 58,2 %.

 

Sipërfaqja e lejeve të ndërtimit miratuar për ndërtesa të reja, në tremujorin e parë 2022, është 1.031.088 m2, nga 599.446 m2 miratuar në tremujorin e parë 2021, duke shënuar një rritje prej 72,0%.

 

Në tremujorin e parë 2022, vlera e përafërt e lejeve të ndërtimit miratuar për ndërtesa dhe punime inxhinierike është 39,0 miliardë lekë, nga 26,6 miliardë lekë miratuar në tremujorin e parë 2021, duke shënuar një rritje prej 46,7%.

 

Burimi: Monitor https://www.monitor.al/nuk-ndalen-ndertimet-dyfishohet-siperfaqja-e-lejeve-ne-tirane-ne-tremujorin-e-pare/


Më të lexuarat