Shqiperia merr presidencen e Keshillit te Sigurimit te OKB
Nga sot, 1 qershor, Shqipëria do të kryesojë presidencën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, të cilën do ta mbajë për 30 ditë.
Kryeministri Rama me anë të një video mesazhi në rrjetet sociale thekson se Kombet e Bashkuara nuk kanë vlerë më të lartë për të promovuar sesa drejtësia dhe sundimi i ligjit. Kreu i qeverisë shprehet se drejtësia dhe paqja ecin krah për krah dhe Shqipëria mbetet plotësisht e angazhuar në këtë drejtim.
'Jemi të privilegjuar që u japim zë bindjeve tona e do ta drejtojmë Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara me të gjithë vullnetin e pasionin tonë për ato çka besojmë fort.'- shprehet Rama.
Kryeministri Edi Rama i cili ndodhet në SHBA bashkë me ministren e Punëve të Jashtme do të drejtojë nesër 2 qershor debatin e hapur të nivelit të lartë të Këshillit të Sigurimit mbi llogaridhënien ndërkombëtare,
si një ndër përparësitë e vendit tonë në Këshillin e Sigurimit, të theksuar edhe më shumë për shkak të agresioni të Rusisë kundër Ukrainës.
Vënia para përgjegjësisë e shkelësve të ligjit ndërkombëtar, qofshin shtete apo individë, kërkon bashkëpunim të fortë të gjithë shteteve paqedashëse, duke filluar me anëtarët e Këshillit të Sigurimit.
Vitin e ardhshëm Shqipëria do të ketë presidencën pak muaj përpara përfundimit të mandatit, në tetor 2023. Programi i punës i kësaj presidence ndërlidh më së miri përparësitë e Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit me zhvillimet më të rëndësishme të sigurisë ndërkombëtare, siç është lufta në Ukrainë.
Gjatë qëndrimit në Nju York kryeministri dhe Ministrja e Jashtme do të priten në takime nga Sekretari i Përgjithshëm i OKB, António Guterres si dhe nga ambasadorja e SHBA pranë OKB, Linda Thomas-Greenfield, takim ky në kuadër të bashkëpenësisë që Shqipëria dhe SHBA kanë lidhur me Ukrainën.
Gjatë muajit maj presidencën e Këshillit të Sigurimit e kishte SHBA. Nga 1 janari 2022 Shqipëria u ul si anëtare jo e përhershme e Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.
Më 11 qershor 2021 Shqipëria u zgjodh anëtare jo e përhershme e Këshillit të Sigurimit për periudhën 2022-2023 duke shënuar një ditë historike. Shqipëria ishte vendi i vetëm nga ata që ishin në garë që nuk kishte qenë asnjëherë anëtare e Këshillit të Sigurimit.
Shqipëria bën pjesë në Organizatën e Kombeve të Bashkuara që nga dhjetori i vitit 1955, me përfaqësues në Asamblenë e Përgjithshme. Zgjedhja në Këshillin e Sigurimit, për herë të parë pas 66 vitesh anëtarësim në OKB, përfaqëson sfidë madhore, por dhe një mundësi të shkëlqyer për Shqipërinë.
Shqipëria u paraqit si kandidaturë konsensuale e Grupit të Vendeve të Evropës Lindore. Veprimtaria e Këshillit të Sigurimit në Kombet e Bashkuara ka prioritet paqen dhe sigurinë ndërkombëtare./Burimi:abcnews.al