BERZH investon 2 milion euro per grate sipermarese ne Shqiperi
Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) mbështet zhvillimin e sipërmarrjes së grave në Shqipëri me një hua prej 2 milionë eurosh për Bankën Intesa Sanpaolo Albania sh.a (ISBA), e cila do të lëvrohet në formë kredie.
Zv.kryeministri Niko Peleshi i pranishëm në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes midis BERZH dhe Bankës Intesa Sanpaolo Albania sh.a (ISBA), u shpreh se, ky bashkëpunim mes bankave është një produkt që i vjen në ndihmë sipërmarrjeve të reja që drejtohen nga gra biznesmene.Në emër të qeverisë, Zv.kryeministri Peleshi, përshëndeti iniciativën ndërsa theksoi se “Qeveria do të mbështesë këtë rrugë të nxitjes së kreditimit përmes skemave të ndryshme që i japin zhvillim biznesit të ndërmarrjeve të vogla e të mesme. Në këtë kuadër tha ai, qeveria do të miratojë sot ngritjen e Agjencisë së Zhvillimit Ekonomik Rajonal, qëndër që do të thithë fonde nga donatorë të ndryshëm, për t’i adresuar ato drejtëpërdrejt në mbështetje të biznesit”.
Kjo hua jepet në kuadrin e programit prej 20 milionë eurosh të BERZH për “Gratë në Biznes” në Ballkanin Perëndimor – për kreditimin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme (NVM) të drejtuara nga gratë në Shqipëri. ISBA do të jetë banka e parë që i bashkohet këtij programi në Shqipëri.
Financimi do të plotësohet nga asistenca teknike për institucionet financiare partnere dhe shërbime këshillimore të dedikuara për NVM të drejtuara nga gra. Programi mbështetet njëkohësisht nga qeveritë përkatëse të Italisë, Suedisë, Luksemburgut dhe nga Fondi Special i Aksionerëve të BERZH. Phil Bennett, Zëvendës Presidenti i Parë i BERZH, u shpreh se “programi i BERZH për gratë në biznes ndihmon në adresimin e sfidave që hasin gratë sipërmarrëse në drejtimin e biznesit, si mundësitë e financimit apo asistenca teknike. Fuqizimi i grave ndihmon në ngritjen e një shoqërie gjithpërfshirëse, i cili është çelësi për një rritje të qëndrueshme ekonomike.”Silvio Pedrazzi, Drejtori Ekzekutiv i ISBA, shtoi se “gratë sipërmarrëse në Shqipëri përballen me shumë sfida, dhe ne jemi këtu për t’i mbështetur ato duke krijuar mundësi financimi dhe këshillimi, të nevojshme për rritjen e bizneseve të tyre. Ndaj, ne ishim të parët që iu bashkuam këtij programi për të krijuar produkte të qëndrueshme financimi, të dedikuara për gratë sipërmarrëse.”
Programi “Gratë në Biznes” i BERZH fokusohet në përmirësimin e mundësive të financimit dhe këshillimit për NVM-të e drejtuara nga gratë. Linjat e kreditimit u akordohen bankave partnere me qëllim kreditimin direkt të këtyre bizneseve. Shërbimet këshillimore ofrohen së bashku me trainim dhe mbështetje afatgjatë për t’iu ofruar grave sipërmarrëse njohuritë për të ndërmarrë me besim hapa të mëtejshëm.Që prej fillimit të operacioneve në Shqipëri, BERZH ka investuar gati 1 miliard euro në 70 projekte në sektorë të ndryshëm të ekonomisë së vendit.