Secondary Adv

Mbicmimi i Lekut, Euro preku minimumin historik gjate Majit

Gjatë majit, monedha e përbashkët europiane është këmbyer mesatarisht me 120.47 lekë.

 

Kjo vlerë shënon minimumin historik sa i përket kursit të këmbimit mes lekut dhe euros, sinjalizojnë shifrat më të fundit të publikuara nga Banka e Shqipërisë. Asnjëherë më parë, monedha e përbashkët europiane nuk kishte mbyllur ndonjë muaj me një mesatare kaq të ulët këmbimi kundrejt lekut.

 

Të dhënat tregojnë gjithashtu se, ndër 10 muajt kur kursi i këmbimit mes Euros dhe Lekut ka prekur nivelin më të ulët historik, 4 muaj përfaqësojnë pikërisht vitin aktual, më saktësisht: Janari, Shkurti, Prilli dhe Maji.

 

Përjashtim të vetëm bën muaji mars i këtij viti, kur monedha europiane këmbëhej mesatarisht me 122.96 lekë.

 

Edhe të dhënat që i referohen kursit të këmbimit të euros me monedhën vendase në ditën e fundit të muajit, tregojnë se maji ka regjistruar një rekord historik, me një kurs këmbimi prej 120.75 lekësh.

 

Kujtojmë se më herët gjatë muajit, monedha e përbashkët europiane në ditë të caktuara këmbëhej edhe poshtë nivelit të 120 lekëve. Por, ndërkohë që vlera e euros kundrejt lekut vendas ka prekur një minimum historik, krejt e kundërta ka ndodhur me dollarin amerikan.

 

Ky i fundit gjatë majit është këmbyer mesatarisht me 113.94 lekë. Kjo është vlera më e lartë e dollait amerikan kundrejt Lekut vendas që prej prillit të vitit 2020.

 

Sa i përket monedhave të tjera ndërkohë, nuk vihen re luhatje të mëdha të kursit të këmbimit gjatë majit, me përjashtim të Lirës turke.

 

Kjo e fundit gjithashtu ka prekur një rekord minimal historik kundrejt Lekut, por bëhet fjalë për një monedhë e cila është përballur vazhdimisht gjatë viteve të fundit me luhatje dhe zhvlerësime të theksuara, edhe brenda afatave të shkurtra kohore./Burimi: Scan


Më të lexuarat