Secondary Adv

BSH: Ne tetor u rrit kredia per bizneset, ra per individet

Me bazë vjetore, huadhënia për ekonominë është tkurrur me 1.7%. Kredia për ekonominë ka shënuar rritje në tetor me 0.3% (apo rreth 1.8 miliardë lekë) sipas raportit të muajit të mëparshëm, për të arritur në 548 miliardë lekë, sipas statistikave të publikuara sot nga Banka e Shqipërisë.


Kjo është rritja e parë pas katër muaj radhazi që huadhënia për bizneset dhe konsumatorët kishte njohur vetëm rënie. Përmirësimi ka ardhur tërësisht nga rritja e huasë për bizneset në valutë me 2.1%, apo 4.8 miliardë lekë, ndërkohë që gjithë kategoritë e tjera kanë shënuar rënie. Kredia e re në euro është trefishuar në tetor, në raport me shtatorin e muajit të mëparshëm, kur ajo zbriti në nivelet më të ulëta të 10 viteve të fundit.


Kredia e re mujore në lekë shënoi dhe ajo një rritje me 46% në raport me shtatorin, por duke qenë larg mesatares mujore të këtij viti.Në tkurrje ka qenë huaja për konsumatorët (-0.8% me bazë mujore). Kjo e fundit kishte shënuar rritje të vazhdueshme gjatë muajve të fundit, teksa bankat po orientoheshin drejt individëve, që janë përgjithësisht kredimarrës më të mirë.


Me bazë vjetore, stoku i huadhënies për ekonominë është tkurrur me 1.7%. Kjo rënie lidhet me fshirjen e kredive me probleme nga bankat, që për periudhën janar gusht arriti në 13 miliardë lekë, por dhe huadhënia e re ka qenë e dobët, si rrjedhojë e mungesës së projekteve dhe kërkesës së ulët të biznesit nga njëra anë dhe kujdesit të shtuar të bankave nga ana tjetër.Me bazë vjetore, rënien më të lartë e ka shënuar kredia për bizneset në valutë, me gati -5%.


Më të lexuarat