Shume para jashte bankave, ne Prill qarkulluan 368.3 mld leke cash
Përdorimi i parave Cash ka njohur një tjetër rekord gjatë muajit prill të këtij viti.
Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë janë 368.3 miliardë lekë ose 3.5 miliard euro të cilat janë përdorur jashtë sistemit bankar në ekonominë shqiptare.
Statistikat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se ky është niveli më i lartë i regjistruar që prej dy dekadash për 4 muajt e parë të këtij viti dhe trendi rritës është shumë i fortë.
Në krahasim me prillin e një viti më parë në ekonominë shqiptare rezultojnë se janë 18 miliard lekë më tepër jashtë bankave. Ndërsa që prej janarit të këtij viti të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se qarkullimi i parasë në dorë ka pësuar një rritje me rreth 7 miliardë lekë.
Gjatë shkurtit të 2003 kur Banka Qendrore nisi publikim e të dhënave për paratë jashtë kanaleve financiare, në vend janë regjistruar vetëm 123.4 miliard lekë ndërsa aktualisht ka pësuar thuajse trefishim vlerës së parave që tashmë qarkullojnë jashtë në dorë.
E gjithë kjo situatë është e lidhur direkt me informalitetin e lartë në ekonominë shqiptare e cila favorizon evazionin fiskal dhe pastrimin e parave nga aktivitetet e jashtëligjshme.
Ekspertët finanaciarë argumentojnë se një tjetër faktor në favor të rritjes së parasë cash gjatë këtyre viteve janë edhe normat e ulëta të interesit duke nxitur huadhënien informale, në kërkim të interesave më të larta.
Por edhe pasiguria dhe kriza e çmimeve ka bërë që shqiptarët të tërheqin paratë nga depozitat duke i përdoruar për shpenzime të ndryshme.
Institucionet financiare në vend e cilësojnë sfidë dhe një problem serioz qarkullimin e parasë jashtë sistemit bankar, madje disa herë janë ndërmarrë fushata për të sensibilizuar qytetarët për përdorimin e parave nëpërmjet bankave por duket se kjo nuk ka pasur efekte./Burimi: abcnews.al