Buxheti i 2016, qeveria shton investimet per pajisje e rimodelim zyrash
10% e investimeve publike për vitin e ardhshëm, qeveria i ka parashikuar për administratën, në blerje pajisjesh, mobilime zyrash si dhe kompjuterë.
Në listën e detajuar të shpenzimeve rezulton se nga 600 milionë dollarë që jep buxheti i shtetit për investime publike çdo institucioni, rreth 60 milionë dollarë do të shkojnë për të lehtësuar punën e nëpunësve dhe ministrive.Këto shpenzime, të cilat llogariten si shpenzime kapitale, në fakt nuk do të shkojnë për të përmirësuar rrugët, ndërtuar shkolla apo spitale, shërbime për të cilat qytetarët kanë vërtetë nevojë. Në listën e gjatë të shpenzimeve për vitin e ardhshëm, ato që vihen re më shpesh janë shumat e përcaktuara për blerje zyrash, rikonstruksion godinash e ndërtesash si dhe blerje kompjuterësh.
Fondet më të mëdha janë parashikuar për rikonstruksione godinash, ku shumë ministri si ajo e Arsimit, Planifikimit Urban dhe me dhjetëra drejtori do të ndërtojnë dhe rimodelojnë ambientet ku rrinë. Këto lloj shpenzimesh nuk kanë përjashtuar asnjë institucion publik.
Shuma më e madhe prej 500 mijë dollarësh do të përdoret nga Kryeministria vetëm për sistemin e sigurisë ndërsa qindra dollarë të tjerë jepen për rregullimin e ndërtesave. Vila e shërbimeve qeveritare në Dhërmi, merr 210 mijë dollarë për mobilim dhe konstruksion të plotë të pjesës që ka mbetur. Po kështu edhe Presidenti do të marrë 150 mijë dollarë për të rregulluar zyrën e tij dhe për të mobiluar atë të takimit kokë më kokë. Ndërsa për shërbimin Informativ do të harxhohen 300 mijë dollarë për rregullimin e parkut, bien në sy edhe shpenzimet që Kuvendi ka kërkuar për të siguruar sistemin e kondicionimit me precision të lartë dhe atë të rrufepritëseve.