Secondary Adv

Cmimet e larta rrisin kostot ne ndertim, niveli me i larte qe nga viti 2001

Kosto e ndërtimit u rritën me 5 për qind në tremujorin e parë të vitit 2022 duke shënuar rekord që nga viti 2001.

 

Sipas të dhënave të INSTAT, Indeksi i Kushtimit në Ndërtim, në tremujorin e parë 2022, arriti 106,0 kundrejt tremujorit të katërt 2020, si periudha bazë.

 

Ndryshimi vjetor i Indeksit të Kushtimit në Ndërtim në tremujorin e parë 2022 është 5,0%, një vit më parë ky ndryshim ishte 0,6%.

 

Ndryshimet vjetore të grupeve kryesore: Krahasuar me të njëjtin tremujor të një viti më parë, rritja më e madhe e çmimeve vërehet në grupin “Shpenzime energjie” me 11,7 %,

 

Pasuar nga grupet, “Shpenzime materiale” me 6,0%, “Shpenzime makinerie” me 3,8%, “Kosto të tjera” me 3,5%, “Shpenzime për paga” me 2,5% dhe “Shpenzime transporti” me 2,1%.

 

Brenda grupit “Shpenzime materiale”, indekset e nëngrupit “Materiale hidro-sanitare dhe ventilimi”, shënuan rritjen më të lartë me 6,8%, pasuar nga grupi “Materiale ndërtimi” me 6,5% dhe “Materiale elektrike dhe komunikimi” me 3,5%.

 

Indeksi i Kushtimit në Ndërtim shënoi rritje me 2,9% krahasuar me tremujorin e katërt të vitit 2021. Rritja më e madhe e çmimeve vërehet në grupin “Shpenzime energjie” me 10,0%,

 

Pasuar nga grupet, “Shpenzime materiale” me 2,8%, “Kosto të tjera” me 2,7%, “Shpenzime makinerie” me 2,5%, “Shpenzime për paga” me 1,4%. Ndërsa, ulje ka shënuar grupi “Shpenzime transporti” me 0,5%.

 

Kërkesa e lartë pas pandemisë dhe më pas lufta në Ukrainë rritën në rekorde historike çmimet e lëndëve të para. Këto efekte janë transferuar te kostot e prodhimit dhe në çmimet finale. Çmimet po futen në një spirale rritjeje, që duket se do të vazhdojnë për një kohë të gjatë.

 

Çmimet e banesave kanë shënuar rritje të shpejtë vitet e fundit në vendin tonë, kryesisht në Tiranë dhe bregdet.

 

Sipas Bankës së Shqipërisë, Indeksi Fischer i çmimit të banesave shënoi rritje vjetore 9% në gjashtëmujorin e dytë të vitit 2021.

 

Tendenca e rritjes së çmimeve të banesave ka vijuar edhe për tregun më të madh të pronave në vend, atë të Tiranës. Çmimet e banesave në kryeqytet u rritën me 8.5% krahasuar me 6-mujorin e dytë 2020 dhe me 12.3% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

 

Pritshmëritë e agjentëve të tregut janë përsëri optimiste për të ardhmen e afërt, pavarësisht zhvillimeve inflacioniste. Agjentët presin gjithashtu rritje të çmimeve të pronave të paluajtshme për banesat dhe pronat tregtare.

 

/Burimi: Monitor (https://www.monitor.al/rritja-e-cmimeve-rrit-me-5-kostot-ne-ndertimin-e-banesave-ne-tremujorin-e-pare-niveli-me-i-larte-qe-nga-viti-2001/)


Më të lexuarat