Secondary Adv

Infrastruktura, duhen edhe 1,2 mld euro per te arritur standarded e BE

Shqipërisë i duhen edhe 1.2 miliardë euro investime, për ta bërë sistemin rrugor sipas standardeve të BE-së, deklaroi ministri i Transporteve, Edmond Haxhinasto, në takimin ministerial të rajonit. Gjatë takimit të nivelit të lartë, të pranishëm ishin ministrat e Transportit nga Bosnjë-Hercegovina, Mali i Zi, Maqedonia, Serbia, Kosova.


Haxhinasto vlerësoi projektin për ndërtimin e Korridorit Adriatiko-Jonian, për të cilin ka një interes në rritje për t’u realizuar edhe nga kompani kineze, me të cilat është arritur një mirëkuptim. Më tej, ministri u ndal në domosdoshmërinë e heqjes së barrierave jofizike midis vendeve, veçanërisht në nevojën e liberalizimit të shërbimeve të transportit dhe të procedurave në kufi duke sjellë si model shembullin e Muriqanit, ku shërbimet për të dyja vendet kryhen nga një pikë e përbashkët doganore e kufitare. Haxhinasto theksoi rëndësinë e përmirësimit të sinjalistikës dhe mirëmbajtjes së rrugëve, si domosdoshmëri për shërbime transporti cilësore e të sigurta, duke përmendur programin pesëvjeçar të mirëmbajtjes prej 130 milionë dollarësh.


Po ashtu, ministri vuri në dukje përpjekjet për të ringjallur rrjetin hekurudhor, ku përveç përmirësimit të lidhjeve me Malin e Zi dhe me Maqedoninë, ai theksoi si të rëndësishme projektin Tiranë-Rinas-Durrës dhe lidhjen hekurudhore me Greqinë. “Ne kemi nevoja, ndaj kemi miratuar rrjetin e ri që është sfidë e madhe për angazhimet tona buxhetore dhe kemi konkluduar se duhen rreth 1.2 miliardë euro investime në të ardhmen”, deklaroi Haxhinasto. Lidhur me rrjetin hekurudhor, Haxhinasto ka deklaruar se riaktivizimi i saj kërkon përpjekje, vëmendje dhe resurse të jashtëzakonshme.


Më të lexuarat