Secondary Adv

Kriza e cmimeve ndikon tek kredia, Rritet norma e huave me probleme

Çmimet e larta kanë nisur të japin efektet e para në shlyerjen e kredive.

 

Për herë të parë pas më shumë se një vit në rënie të vazhdueshme, në prill është regjistruar rritje e kredive me probleme.

 

Sipas të dhënave të fundit të Bankës së Shqipërisë kreditë me probleme në muajin prill regjistruan shifrën e 5.4%, nga 5.2% që ishin në muajin mars.

 

Në total sipas statistikave të Bankës qendrore në prill, totali i kredisë së dhënë për ekonominë ishte 689,9 miliardë lekë dhe nga këto me probleme rezultojnë 37.2 miliardë lekë. ndërsa në muajin mars kreditë e këqija ishin në vlerën e 35.5 miliardë lekë.

 

Frika se kriza e çmimeve do të rriste kreditë me probleme, pasi do të ulte fuqinë paguese të qytetarëve dhe të bizneseve u pranua edhe nga vetë bankat e jo-bankat, pasi menjëherë nisën të merrnin masa për të shtrënguar standardet e kredidhënies.

 

Në raportin e kaluar të Bankës së Shqipërisë, për kreditimin në tremujorin e parë të vitit, thuhej se standardet e kreditimit në tremujorin e parë të këtij viti u shtrënguan për biznesin e vogël dhe të mesëm, për shkak se bankat ndjehen të rrezikuara nga situata ekonomike, dhe i druhen uljes së aftësisë paguese të këtyre bizneseve.

 

Shtrëngimi i kushteve të kredisë ka bërë që bankat të japin më pak kredi, pavarësisht se kërkesa për hua ka qenë e lartë.

 

“Shtimi i pasigurive, si pasojë e ecurisë së çmimeve në tregjet ndërkombëtare e ato vendase, ka nxitur bankat të jenë disi më konservatore ndaj këtij segmenti të biznesit.

 

Kujdesi i shtuar i bankave në kreditimin e bizneseve, u reflektua edhe në një shkallë më të ulët miratimi kredish në tremujorin e parë.

 

Shtimi i kërkesës për kredi nga bizneset në tremujorin e parë të vitit, sipas gjykimit të bankave, u ndikua kryesisht nga nevojat më të larta për financimin e inventarëve dhe kapitalit qarkullues, për financimin e investimeve, si dhe për ristrukturimin e kompanive”, thuhej në raport. 

 

Po ashtu bankat kanë ulur edhe tolerancën ndaj kredidhënies për këtë segment të biznesit, për shkak të pasigurisë në çmime e tregje./Burimi: Shqiptarja.com


Më të lexuarat