Grantet per kompanite e peshkimit: Cilet perfitojne, Kriteret e aplikimit
Kompanitë e peshkimit kanë dy javë afat aplikimin për grante të vëna në dispozicion nga BE me qëllim kryerjen e investimeve në anijet e tyre.
Në kuadër të projektit “Support to Fishery Sector in Albania” nën IPA 2016 është hapur thirrja e tretë e mbështetjes ku janë vendosur në dispozicion 720 mijë euro dhe afati i fundit është data 30 Qershor.
Përfituesi i Skemës së Granteve të Investimeve në Peshkim është çdo individ ose pronar i kompanive të anijeve të peshkimit të regjistruara në Regjistrin e Anijeve të Peshkimit në Shqipëri, dhe që zotëron Numrin Unik të Identifikimit (NUI).
Aplikimi pranë Programit mund të paraqitet nga pronarët individualë të anijeve të peshkimit si dhe pronarët e kompanive të anijeve të peshkimit. Çdo përfitues ka të drejtë të aplikojë për një ose më shumë grante.
Vlera e mbështetjes do të mbulojë maksimumi 50% të shpenzimeve totale të pranueshme të Aktivitetit. Çdo grant i kërkuar duhet të jetë ndërmjet vlerave minimale prej 2,500 EURO dhe maksimumale: 60,000 EURO.
Sipas kritereve të përcaktuara në program, periudha e ekzekutimit të kontratës (përfshirë blerje, instalimin dhe pagesën përfundimtare tek përfituesi) do të kryhet brenda 6 muajve nga data e fundit e nënshkrimit të kontratës nga palët. Por cilat janë dokumentet që duhet të dorëzohen?
Dosja që duhet të depozitohet pranë Ministrisë së Bujqësisë duhet të përmbajë:
- Formularin e Aplikimit për Grant të plotësuar sipas modelit të dhënë,
- kopjen e licencës së veprimtarisë së peshkimit, kopjen e dokumentit të regjistrimit të biznesit,
- oferta të krahasueshme të dhëna për investimin e propozuar, nga të paktën tre furnitorë, përfshirë broshurat mbështetëse, dhe Deklaratën e Nderit.
Të gjithë dokumentet e sipërpërmendura të cilat e bëjnë një subject që të kualifikohet, do të duhet të dorëzohen edhe në format digjital (CD)./Burimi: Scan TV