Secondary Adv

Konferenca Antikorrupsion, Procesi i tenderimit do te behet nga eksperte te jashtem

Në konferencën e parë anti-Korrupsion, Rama pranoi se një nga problemet me të cilat përballet vendi janë tenderat jo transparente dhe në shkelje të ligjit.

 

Për këtë, do të ngrihet një strukturë e posaçme, me ekspertizë të jashtme për të bërë tenderat. Pra ky proces nuk do të bëhet më nga administrata apo ministritë, siç ka funksionuar deri tani.

 

“Po përgatisim një fazë tjetër për të çliruar administratën nga pesha e madhe e këtij procesi, të kontraktimit përmes fondeve në tendera, për të përfshirë ekspertizë të jashtme dhe pse jo kompani ndërkombëtare,

 

që administrata të bëj administratën, ministrinë ministri, tenderimin ta bëjnë struktura me një pavarësi dhe profesionalizëm, se problem nuk është vetëm korrupsioni, apo përzierja me qëllimin e devijimit të ligjit për përfitim, por është edhe paaftësia për të ndërtuar procese profesionale”, tha Rama.

 

Përballë ambasadores së SHBA-së, Yuri Kim, Rama, por edhe ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja lanë pas kritikat për SPAK, por vlerësuan për punën e bërë deri më tani. Kreu i qeverisë tha se ajo është një prokurori e pavarur nga politika, teksa Manja shtoi se ka dhënë rezultate duke goditur zyrtarë të niveleve të larta.

 

“Një prokurori tërësisht e ndarë nga politika dhe tërësisht e fokusuar te misioni i saj për të bërë drejtësi”, tha Rama.

 

“SPAK dhe Byroja Kombëtare e Hetimit ka dhënë rezultatet e para të prekshme në nivele të larta, ishte diçka e paimagjinueshme që të dënoheshin zyrtarë të lartë, janë garanci se lufta e kundër korrupsionit në nivele të larta garanton sukses”, tha Manja.

 

Nga ana tjetër Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara, Yuri Kim tha se Shqipëria duhet të jetë partner i Amerikës, e jo problem në luftën anti-korrupsion. Ajo shtoi se ky është një moment kritik, ku vendi duhet të zgjedhë nëse do të zotërohet nga krimi e oligarkët apo nga njerëzit e thjeshtë.

 

 “Ne e duam që Shqipëria të jetë përherë e më tepër një partner dhe jo një problem, ju duhet ta udhëhiqni luftën, shpesh flasim për rolin e SHBA dhe dëgjoj, “vetëm ju mund ta bëni”, por unë them që “ju duhet ta bëni”, SHBA si miq tuaj do të jenë me ju, në çdo hap të udhës dhe në çdo hap të rrugës”, tha Kim.

 

Konferenca anti-korrupsion do të mbahet për 3 ditë radhazi./Shqiptarja.com


Më të lexuarat