Secondary Adv

Aftesia dixhitale, Shqiperia e fundit ne Europe: 24 per qind e shqiptareve me njohuri baze

Shqipëria renditet e fundit në Europë me përqindjen më të ulët të personave të grupmoshës 16 deri në 74 vjeç, të cilët kanë të paktën bazën e aftësive digjitale.

 

Të dhënat tregojnë se vetëm 24% e popullsisë në vendin tonë kanë aftësi teknologjike bazë. Këto shifra janë publikuar nga “Agjencia Europiane e Statistikave” në raport monitorimin e vitit 2022, në kuadër të objektivave të zhvillimit të qëndrueshëm.

 

Treguesi i mësipërm lidhet me objektivin e katërt, i cili ka të bëjë me cilësinë e arsimit. Sipas raportit, ky është një parakusht për arritjen e objektivave të vendosura pasi arsimi dhe trajnimi janë shtytësit kryesorë për rritje ekonomike dhe vende pune, sepse ato ndihmojnë në produktivitet, inovacion dhe konkurrencë.

 

Shifrat tregojnë se përqindja e personave të cilët kanë aftësitë bazë të teknologjisë në Shqipëri është 30 pikë përqindje larg mesatares së Bashkimit Europian. Gjatë vitit 2021, ky tregues regjistrohej në 54%.

 

Në nivel rajoni pozitat më të mira me përqindjen me të lartë i ka Mali i Zi, ku 47% e individëve të grupmoshës 16 deri në 74 vjeç kanë aftësi digjitale bazë. Ndjek Serbia me 41%, Maqedonia e Veriut me 35% dhe Bosnje Hervegovina po ashtu me 35%.

 

Ndër vendet e para në Europë me përqindjen më të lartë të personave me aftësi digjitale bazë janë Islanda me 81%; Hollanda, Finlanda dhe  Norvegjia me 79% secila. Përpos Shqipërisë, ndër vendet e fundit në Europë gjejmë të renditur Rumaninë, Turqinë dhe Bullgarinë.

 

Të dhënat e analizuara nga “Scan Intel” i referohen vitit 2021 dhe ky tregues është i bazuar në aktivitetet e përzgjedhura të kryera nga individë në zona specifike me internet.

 

Deri në vitin 2019-të ky tregues përfshinte informacionin, komunikimin, zgjidhjen e problemeve dhe software, ndërsa në vitin 2021 e në vazhdim u shtua edhe elementi i sigurisë. Theksojmë se ky tregues bazohet në sondazhin e BE-së për përdorimin e TIK-ut në familje dhe nga individët./Burimi: Scan Intel


Më të lexuarat