Secondary Adv

Hapet tenderi 209 mln leke: Pedonale dhe zone rekreative ne Parkun e Liqenit te Paskuqanit

Bashkia e Kamzës synon që në zonën e liqenit të Paskuqanit të zhvillojë një projekt për ndërtimin e një pedonaleje dhe zone rekreative.

 

Tashmë në Agjencinë e Prokurimit Publik është hapur procedura respektive më një fond limit 209 milionë lekë që synon pikërisht kontraktimin e një operatori që do të bëjë zbatimin e këtij projekti.

 

“Për të krijuar balancë dhe për të ardhur në ndihme të qytetareve lidhur me përmirësimin e mjedisit dhe krijimin e mundësisë për rekreacion, krahas investimit të bërë për përmirësimin e gjendjes së Liqenit të Paskuqanit,

 

Bashkia ka nxitur një iniciative lidhur me kthimin në park të gjelbëruar të zonës përreth liqenit duke ftuar bizneset dhe personat dashamirës lidhur me mjedisin që të mbjellin në zonën në fjalë”, thuhet në raportin teknik të publikuar.

 

I njëjti saktëson se për ti paraprirë vizitave të qytetarëve në këtë park, bashkia ka nxitur hartimin e projektit teknik lidhur me ndërtimin e Pedonales qe kalon përmes parkut.

 

“Ndërtimi i pedonales është i kushtëzuar nga ndërtimi i dy urave të cilat krijojnë mundësinë e lidhjes së pjesëve të ndryshme të pedonales. Njëra nga urat ka gjatësi prej 36 ml ndërsa tjetra me një gjatësi prej 156 ml. Secila nga urat kanë si specifike ndërtimin e mbi strukturës së tyre.

 

Ato janë parashikuar të ndërtohen me konstruksione metalike, nëpërmjet ankorimit të kolonave mbi plintat mbështetës si dhe lidhjes së trarëve të mbi strukturës me këto kollona. Secila nga hapësirat e urës ka gjatësinë prej 12 m.

 

Ura me gjatësi prej 156 m kalon në pjesën fundore të liqenit. Për të krijuar arkitekture të përshtatshme me peizazhin është menduar që ura të ndërtohet me një kurbëzim vertikal diferenca e së cilës nga hyra në mesin e saj është 3.89 m”, thuhet në dokument.

 

/Burimi: Monitor (https://www.monitor.al/pedonale-dhe-zone-rekreative-ne-parkun-e-liqenit-te-paskuqanit-tender-209-milione-leke/)


Më të lexuarat