Secondary Adv

Ligji i ri per mbrojtjen e te dhenave personale: Gjobe deri ne 2 mld leke per shkelesit

Pas skandaleve të të dhënave personale qeveria shqiptare ka përgatitur një ligj të ri për mbrojtjen e të dhënave personale.

 

Nisma e re e qeverisë parashikon një serë ndryshimesh ligjore në mënyrën e administrimit të të dhënave personale, forcon rolin e Komisionerit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale e nga ana tjetër edhe rrit ndjeshëm penalitetet për ata që abuzojnë me këto të dhëna.

 

Konkretisht, parashikohet se gjoba maksimale për kundërvajtjet administrative të shkojë deri në 2 miliardë lekë,  ose deri në 4% të xhiros totale vjetore të përgjithshme për vitin financiar paraardhës në rastin e ndërmarrjeve.

 

Kjo praktikisht do të përbënte edhe nivelin më të lartë të sanksionit administrative që aplikohet në Shqipëri.

 

Në lidhje me arkëtimin e gjobave, në ndryshim nga ligji aktual në fuqi, propozohet që gjobat të arkëtohen në masën 90% në buxhetin e shtetit dhe pjesa tjetër e tyre të arkëtohet në llogarinë e Zyrës së Komisionerit, si një mbështetje buxhetore me qëllim realizimin e detyrave në kuadër të ushtrimit të veprimtarisë së saj.

 

Në listën e risive që prezantohet për herë të parë është “e drejta për t’u harruar” e cila mund të konsiderohet si një e drejtë e re e subjektit të të dhënave në kontekstin e zhvillimeve teknologjike.

 

“Kjo e drejtë shërben si një garanci në mjedisin online për subjektin e të dhënave, duke detyruar ofruesit e motorëve të kërkimit të fshijnë me kërkesë të subjektit të të dhënave informacionin në lidhje me të, i cili me kalimin e kohës nuk është më i nevojshëm, por kur gjendet ka një ndikim negativ në reputacionin e tij.

 

Qëllimi i kësaj të drejte është të eliminojë çdo gjurmë të të dhënave të çdo personi që dëshiron të “harrohet” përgjithmonë nga rrjetet sociale dhe motorët e kërkimit në internet si Google apo platforma të tjera kërkimi” përcaktohet në ligj.

 

Në këtë mënyrë, Shqipëria përfshihet në listën e shteteve për të cilat Komisioni Europian përcakton se ofron sistem të përshtatshëm të mbrojtjes së të dhënave personale./Burimi: Scan TV


Më të lexuarat