Secondary Adv

Peleshi e Gjiknuri inspektojne punimet e TAP-it ne Korce

Zëvendëskryeministri Niko Peleshi dhe ministri i Energjisë dhe Industrisë, Damian Gjiknuri, inspektuan sot fazën e parë të punimeve për ndërtimin dhe rikonstruksionin e rrugëve në funksion të punimeve për gazsjellësin TAP.


Të shoqëruar nga drejtuesit lokalë të konsorciumit TAP, ministrat ndoqën nga afër punimet që po kryhen në segmentin rrugor Vithkuq-Shtyllas.Menaxheri lokal i TAP-it në Shqipëri, Shkëlqim Bozgo, informoi përfaqësuesit e qeverisë për ecurinë e punimeve të fazës së parë. “Ecuria e punimeve është në përputhje me planifikimet që kemi bërë dhe nga fundi i janarit presim të vijnë tubacionet e para. Nga marsi do të fillojmë transportimin e tubacioneve për t’i shpërndarë përgjatë korridorit. Synimi është që nga mesi i vitit të ardhshëm të fillojmë punimet reale për hapjen e trasesë së tubacionit dhe ndërtimin e tij”, shpjegoi Bozgo.


Ministri Gjiknuri tha se aktualisht është faza e punimeve të rëndësishme civile që ka të bëjë me ndërtimin dhe rikonstruksionin e rrugëve të aksesit. “2016-a do të jetë viti kryesor ku do të shpërndahet pjesa më e madhe e parave dhe do të ketë një ndikim të menjëhershëm në ekonominë shqiptare. Sot që flasim kemi 1050 persona të punësuar dhe kjo është goxha me ndikim për komunitetet. Patjetër, qeveria shqiptare po bashkëpunon me kompaninë TAP edhe për të adresuar problemet e komunitetit. Këto ndërhyrje në infrastrukturë sjellin padyshim avantazhe, por shoqërohen edhe me probleme dhe ne sot me zëvendëskryeministrin erdhëm vetë për t’i parë, ashtu sikurse për të menduar se si mund të përmirësojmë efektet te komuniteti në terma afatgjatë”, theksoi Gjiknuri.


Ndërkaq, numri dy i qeverisë, Niko Peleshi, vlerësoi rëndësinë e projektit dhe nevojën për një bashkëpunim sa më të mirë me bashkësitë lokale. “Është një projekt ndërkombëtar, por i rëndësishëm për ekonominë tonë kombëtare qysh në fazën e ndërtimit, për shkak të numrit të madh të të punësuarve dhe të rrugëve të aksesit të cilat u japin lidhje dhe frymëmarrje edhe komuniteteve tona aty ku projekti kalon. Në vazhdimësi, natyrisht deri te siguria kombëtare ky është një projekt shumë i rëndësishëm”, u shpreh Peleshi.


Sipas zëvendëskryeministrit, në radhë të parë ka nevojë edhe për një përgjegjësi sociale të konsorciumit në raport me komunitetet, sepse bëhet fjalë për një projekt jo të thjeshtë. “Të përgatisim edhe veten tonë, edhe komunitetin se është një projekt i vështirë derisa të realizohet. Do të krijojë problemet e veta në funksionimin e jetës së përditshme në komunitet, por natyrisht që edhe përfitimi është disafish më i madh. Ne kemi marrë sot edhe angazhimin serioz të kompanisë, të konsorciumit për të marrë përsipër të gjitha përgjegjësitë sociale në mënyrë që komuniteti në vazhdimësi ta shohë këtë projekt si përfitim dhe jo si një kosto”, nënvizoi Niko Peleshi.


Më të lexuarat