Mikrokredia ne nivele te larta, 270 mije te tilla brenda nje viti
Vëllimi i huave të reja në sektorin e mikrokredisë thuajse është dyfishuar gjatë vitit të shkuar.
Me 270 mijë hua të dhëna në harkun e 12 muajve, sektori i mikrokredisë është ndër segmentet e tregut financiar me rritjen më të shpejtë.
Sukses të cilin vetë sektori e lidh me segmentin e mikrokredisë konsumatore, i lidhur kryesisht me kreditë e shpejta.
Me 270 mijë hua të dhëna në harkun e 12 muajve, sektori i mikrokredisë është ndër segmentet e tregut financiar me rritjen më të shpejtë për vitin që lamë pas.
Sipas të dhënave të Shoqatës Mikrofinanca Shqiptare (AMA), vëllimi i kredisë së re u rrit me 91% vitin e kaluar, krahasuar me vitin 2020. Në totalin e kredisë se re për ekonominë në vitin 2021, mikrofinanca kontribuoi me 11 përqind.
Në buletinin më të fundit mujor, Shoqata bën me dije se një pjesë e mirë e 285 zyrave të mikrofinancës janë në fshat dhe fermerët u besuan këtyre zyrave 85 përqind të parave të marra borxh nga sektori formal i ekonomisë.
Kredia për individët mban 52 përqind të totalit të huave të dhëna. Një pjesë e mirë është për bizneset jo-bujqësore, me 30 përqind të totalit. Shohim që huatë në fushën e bujqësisë dhe blegtorisë kapin 10-15 përqind të totalit.
Komunikimi i punonjësve të këtyre zyrave me njerëzit hallexhinj që drejtohen tek mikrofinanca është i hapur dhe pa kërkim të dokumenteve të shumta që ata të provojnë të ardhurat e tyre, thekson Shoqata, duke u sjellë qytetarëve besim dhe shërbim të shpejtë për nevojën që kanë.
Hua deri në 200 mijë lekë mund të marrësh nga zyrat e mikrofinancës brenda pak minutash, pas konfirmimit elektronik nga banka jonë qendrore që nuk ke histori problematike kredie në institucione të tjera financiare.
Në katër vitet e fundit, në mikrokredi po fiton gjithnjë e më shumë peshë segmenti i mikrokredisë konsumatore, i lidhur kryesisht me kreditë e shpejta të modelit fintech. Sektori gëzon gjithashtu një normë mjaft të ulët kredish me probleme./Burimi: Scan TV