Secondary Adv

Ekonomia e Tiranes ndryshoi 5 vitet e fundit, ulen aktivitetet financiare

Struktura e ekonomisë së Tiranës ka ndryshuar 5 vitet e fundit duke reflektuar ulje të aktivitetit financiar, teksa është rritur ndjeshëm pesha e administratës publike.

 

Përqendrimi i administratës publike në Tiranë, me ministritë dhe entet kryesore publike është një kontribuues i madh në ekonominë e qytetit.

 

Edhe pse qeveria Rama u angazhua të reduktonte administratën publike me uljen numrit të ministrive në raport me 10 vite më parë, çka do të sillte edhe rënie te peshës që ka administrata në ekonomi, e kundërta ka ndodhur.

 

Të dhënat zyrtare të INSTAT tregojnë se gjatë vitit 2020, aktivitet e “Administratës Publike” zunë 16.9% të ekonomisë totale të Tiranës nga 15.4 % që zinte në vitin 2015.

 

Pesha e administratës në ekonominë e Tiranës ishte në ulje nga viti 2015 në vitin 2018, por pas 2019 pësoi një rritje të shpejtë.

 

Pesha e saj në ekonominë e Tiranës do të rritet më tej gjatë 2021 për shkak se punësimi në administratë u zgjerua ndjeshëm gjatë vitit të kaluar. Shteti ishte kontribuuesi kryesor në vendet e reja të punës në vitet e fundit, sipas INSTAT.

 

Në të kundërt pesha e aktiviteteve financiare gati është përgjysmuar në këto 5 vite. Në vitin 2020 aktivitet financiare zunë 2.4 % të PBB-së së kryeqytetit nga 4.2% që zinin në vitin 2015.

 

Aktivitet financiare në vend janë të përqendruara në Tiranë, por shumica e tyre po tkurren sidomos në numër punonjësish dhe degësh të reja.

 

Tre degët më peshën më të madhe në ekonominë e Tiranës janë tregtia dhe shërbimet që kontribuojnë me 22.9% të totalit me një rritje në krahasim 2015, ku kontributi i kësaj degë ishte 21.6%.

 

Sektori i dytë më i madh është administrata publike dhe i treti më i madhe është sektori i ndërtimit.

 

Megjithëse dy vitet e fundit sektori është përfshirë në zhvillime të vrullshme për shkak se lejet e reja për ndërtim po thyejnë rekordet, pesha e sektorit në ekonominë e Tiranës ishte 12.9 %, pothuajse e njëjtë me vitin 2015.

 

Nisur nga lejet e dhëna gjatë vitit 2021 dhe 2022 pesha e këtij sektori do të vijë në rritje në vitin 2021. Sektori i industrisë zuri 10.8% të ekonomisë së kryeqytetit me 2020 me një rënie gati 1% në raport me 2015.

 

Industria përfaqësohet kryesisht nga industria fason. Ekonomia e Tiranës kontribuon me gati gjysmë e ndryshimit vjetor të ekonomisë në rang vendi.

 

Vitin e kaluar ekonomia shënoi rënie me 3.5%, ndërsa ekonomia e Tiranës kontribuoi në këtë rënie me 1,38 pikë përqindje. Në vitin 2019 ekonomia e Tiranës u rrit me 2.1%, ndërsa ekonomia e Tiranës kontribuo me 1.15 pikë përqindje.

 

Burimi: Monitor https://www.monitor.al/si-ka-ndryshuar-ekonomia-e-tiranes-ne-5-vite-ulen-aktivitetet-financiare-rritet-pesha-e-administrates-publike/


Më të lexuarat