
Bashkite te varura nga lejet, 750 mln euro ndertime ne Tirane ne 2021
Varësia e buxheteve bashkiake po rritet nga viti në vit nga të ardhurat që burojnë nga lejet e ndërtimit, duke rrezikuar qëndrueshmërinë afatgjatë të buxhetit vendor.
Situacioni buxhetor i vitit 2021 tregon se në krahun e shpenzimeve shpenzimet operatove dhe ato të personelit po rriten në mënyrë të pakontrolluar, teksa investimet po shfaqin problematika.
Bashkitë në të gjithë vendin bënë hapa para në drejtim të rritjes se të ardhurave gjatë vitit 2021, por buxhetet e tyre, sidomos Tirana, rritën varësinë nga prurjet prej Taksës së Ndikimit në Infrastrukturë që vilet mbi ndërtimit e reja, prurje që nuk është e garantuar në afat të gjatë.
750 milionë euro ndërtime në Tiranë në 2021, si po rritet varësia e buxhetit vendor nga ndërtimet reja, rreziqet
Të hyrat nga taksa e ndikimit në infrastrukturë nga ndërtimet e reja (TNI) historikisht kanë përfaqësuar një burim të rëndësishëm dhe qenësishëm në buxhetin vendor (më i lartë edhe se të ardhurat nga taksat e pronës).
Veçanërisht në vitin 2021, të ardhurat nga TNI përfaqësuan rreth 53% ndaj totalit të të ardhurave nga taksat vendore, rreth 32% ndaj totalit të të ardhurave nga burimet e veta vendore dhe u vlerësuan në rreth 0.5% të PBB-së nominale.
Zgjerimi i peshës së këtij zëri në buxhetet vendore vlerësohet të jenë ndikuar ndjeshëm nga zbatimi i Planeve të Përgjithshme Vendore (PPV) nëpërmjet lejeve të ndërtimit për ndërtesa të reja veçanërisht prej vitit 2018:
në vitin 2018 u dhanë 1,194 leje, në vitin 2019 rreth 1,094 leje, në vitin 2020 rreth 961 leje dhe në vitin 2021 u dhanë rreth 1,396 leje.
Vetëm në tre vitet e fundit, dhënia e rreth 3,451 lejeve për ndërtim përkthehet në një sipërfaqe ndërtimi të shtuar prej rreth 6 milionë m2.
Zbatimi i PPV nëpërmjet lejeve të reja të ndërtimit, nga një anë, ka kontribuar pozitivisht në rritjen e të ardhurave nga TNI për bashkitë,
nga ana tjetër, i vendos ato në një pozicion sfidues për ofrimin e infrastrukturave të nevojshme publike, të cilat gjithashtu kërkojnë financime si në zhvillim fillestar ashtu dhe në mirëmbajtje të vazhdueshme.
Të ardhurat nga taksa e ndikimit në infrastrukturë nga ndërtimet e reja shënuan një nivel prej rreth 9.5 miliardë lekë në vitin 2021, në rritje me rreth 19% në terma vjetorë, ose rreth 1.5 miliardë lekë më shumë krahasuar me vitin e mëparshëm.
Përjashtuar të ardhurat e arkëtuara nga bashkia Tiranë, 60 bashkitë e tjera në vend mblodhën rreth 2.2 miliardë lekë nga TNI, në rritje me rreth 40% në terma vjetorë.
Teksa taksa e infrastrukturës për ndërtimet e reja në Tiranë është 8% e vlerës së shitjes, në kryeqytet ndërtimet arritën në një vlerë rekord prej 750 milionë euro (përllogaritje të Monitor).
Ndonëse me peshë të madhe në të ardhurat nga taksat vendore, të ardhurat nga TNI nuk realizohen njëtrajtësisht në të gjitha bashkitë.
Rreth 77% e të ardhurave të gjeneruara në vitin 2021 nga kjo taksë u mblodhën në bashkinë Tiranë dhe diferenca në 60 bashkitë e tjera në vend.
Gjatë kësaj periudhe, të ardhurat nga TNI të mbledhura nga bashkia Tiranë u rritën me rreth 14% krahasuar me një vit më parë.
Ne diferencë të theksuar nga bashkia Tiranë, bashkitë Kamëz dhe Himarë mblodhën respektivisht rreth 4% të të ardhurave nga TNI dhe ndjekur nga bashkia Durrës (rreth 3%).
Bazuar në informacionin për lejet e ndërtimit të dhëna periudhën janar – shtator 2021, në bashkinë Tiranë do të shtohen rreth 1.5 milionë metër katrorë sipërfaqe ndërtimore të reja apo rreth 63% e sipërfaqes totale ndërtimore të re në Shqipëri në të njëjtën periudhë.
Të ardhurat nga TNI kanë rritur në mënyrë progresive kontributin e tyre në buxhetet vendore matur nga raporti i të ardhurave nga TNI ndaj të ardhurave nga taksat vendore.
Sa më i lartë ky raport aq më e lartë varësia (dhe rëndësia e të ardhurave nga TNI në buxhetin vendor) dhe ekspozimi i bashkisë ndaj luhatjeve në sektorin e ndërtimit.
Në periudhën 2010-2015, të ardhurat nga TNI përfaqësuan mesatarisht rreth 26% të të ardhurave totale nga taksat vendore dhe në periudhën 2016-2020 pesha e tyre u rrit në rreth 45% të të ardhurave nga taksat vendore.
Në fund të vitit 2021, të ardhurat totale nga TNI për 61 bashkitë përfaqësuan rreth 53% të të ardhurave nga taksat vendore.
Për 8/61 bashki, të ardhurat nga TNI japin kontribut mbi mesataren në totalin e të ardhurave nga taksat vendore, përkatësisht në bashkitë Himarë (89%), Tropojë (78%), Kamëz (77%), Tepelenë (72%), Kurbin (64%), Tiranë (63%), Dibër (59%) dhe Malësi e Madhe (55%).
Pesha e lartë e të ardhurave nga TNI në këto bashki i ekspozon buxhetet vendore drejtpërdrejt ndaj zhvillimeve në sektorin e ndërtimit. Në të kundërt, të ardhurat nga TNI japin kontribut nën mesataren në totalin e të ardhurave nga taksat vendore në 53/61 bashki.
Ky kontribut vlerësohet në më pak se 10% të të ardhurave nga taksat vendore në 8/61 bashkitë Kuçovë (0%), Patos (2%), Mallakastër (3%), Roskovec dhe Fier (5% respektivisht), Poliçan, Belsh dhe Kukës (9% respektivisht).
Në bashkitë që paraqesin një portofol relativisht të diversifikuar të ardhurave nga taksat vendore (apo kontribut të shpërndarë ndër taksat e ndryshme vendore), ekspozimi i buxheteve vendore nga një goditje e papritur në sektorin e ndërtimit vlerësohet të jetë relativisht më i ulët.
Performanca në të ardhurat prej kësaj takse sugjeron për vijimësi të presioneve zhvillimore matur nga numri i lejeve të ndërtimit, ndonëse ky presion është përqendruar në bashkinë Tiranë (rreth 15% e totalit të lejeve të dhëna në vitin 2021 dhe 20% e lejeve të dhëna në tre vitet e fundit).
Dinamikat dhe zhvillimet e përshpejtuara të evidentuara nga treguesi i të ardhurave nga TNI dhe treguesit për lejet e ndërtimit janë perceptuar edhe nga bizneset në sektorin e ndërtimit, pasqyruar në përmirësimin e shënuar në Treguesin e Besimit në Ndërtim (TBN).
TBN, ndonëse mbetet negativ, regjistroi përmirësim të ndjeshëm përgjatë vitit 2021. Megjithatë, ndonëse deri në vitin 2017 treguesi i TBN-së dhe i të ardhurave nga TNI-së paraqesin korrelacion të mirë ndërmjet tyre, në vitet në vijim ecuria e tyre është e ndryshme.
Kjo diferencë rezulton të përcaktohet nga ecuria e të ardhurave nga TNI në bashkinë Tiranë dhe përqendrimi i presioneve zhvillimore në këtë bashki pas vitit 2017. Në të kundërt, të ardhurat nga TNI për 60 bashkitë e tjera në vend dhe TBN paraqesin korrelacion pozitiv në kohë.
Burimi: Monitor https://www.monitor.al/bashkite-ne-cengelin-e-betonit-750-milione-euro-ndertime-ne-tirane-ne-vitin-2021/
Më të lexuarat








