Shqiperia e fundit ne Europe per te ardhurat per fryme dhe konsumin
Me 32% të mesatares europiane Shqipëria mbetet e fundit në Europë për të ardhurat për frymë për vitin 2021, sipas të dhënave nga Eurostat.
Bosnjë Hercegovina ka të ardhura për frymë sa 33% e mesatares së BE-së, ndërsa Maqedonia e Veriut e ka treguesin 10 pikë përqindje m ëtë lartë sesa Shqipëria (42), Serbia 44 dhe rekordin në rajon e mban Mali i Zi, me 47%.
Në treguesin tjetër, atë të konsumit individual për frymë, që mat fuqinë blerëse të qytetarëve të një vendi dhe mirëqenien materiale të tyre, sërish Shqipëria është e fundit, me 39% të mesatares europiane. Bosnja e ka këtë tregues 41%, Maqedonia e Veriut 49, Serbia 52 dhe Mali i Zi 60%.
Prej vitesh Shqipëria nuk po arrin të rritet më shpejt sesa fqinjët apo vendet e tjera të BE, duke ngecur në të ashtuquajturin process të konvergjencës, apo rritjes më të shpejtë me synim që të kapë Brenda një periudhe të caktuar mesataren e Bashkimit Europian.
Europa
Në vitin 2021, nëntë Shtete Anëtare regjistruan konsum individual (AIC) për frymë mbi mesataren e BE-së.
Luksemburgu (46%) ishte i vetmi shtet anëtar që regjistroi AIC për frymë 25% ose më shumë mbi mesataren e BE. Në Danimarkë, Gjermani, Holandë, Belgjikë, Austri, Suedi, Finlandë dhe Francë, nivelet ishin 10% ose më shumë mbi mesataren e BE.
Në trembëdhjetë Shtete Anëtare, AIC për frymë ishte midis mesatares së BE-së dhe 25% më poshtë. Në këtë kategori, kishte dallime të rëndësishme në të gjithë Shtetet Anëtare:
në Itali, Lituani, Qipro dhe Irlandë, nivelet ishin 10% ose më pak nën mesataren e BE, ndërsa Sllovenia, Spanja, Çekia, Polonia, Portugalia, Malta dhe Rumania ishin ndërmjet 11% dhe 20% më poshtë.
Estonia dhe Greqia ishin përkatësisht 21% dhe 23% nën mesataren e BE. Pesë shtete anëtare regjistruan AIC për frymë 25% ose më shumë nën mesataren e BE-së.
Kroacia, Letonia, Hungaria dhe Sllovakia ishin midis 27% dhe 30% më poshtë, ndërsa Bullgaria regjistroi AIC për frymë 37% nën mesataren e BE. PBB për frymë varionte nga 55% e mesatares së BE në Bullgari në 277% në Luksemburg.
Produkti i Brendshëm Bruto (PBB) për frymë, një masë e aktivitetit ekonomik, tregon gjithashtu dallime thelbësore midis Shteteve Anëtare të BE-së.
Në vitin 2021, PBB për frymë e shprehur në PPS varionte ndërmjet 55% të mesatares së BE në Bullgari dhe 277% në Luksemburg. Dhjetë shtete anëtare regjistruan një nivel të PBB për frymë mbi mesataren e BE-së në vitin 2021.