Secondary Adv

Qeveria ul interesat e bonove te thesarit ne 2.54 per qind

Ulja e borxhit të brendshëm nga qeveria po i zbret interesat e bonove në vlera rekord. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë në ankandet e zhvilluara të hënën, bonot me maturim 12 mujor u emetuan me një interes mesatar prej 2.54%, më i ulëti i regjistruar ndonjëherë.


E njëjta tendencë u vërejt edhe për bonot me maturim 6-mujor, ku interesi zbriti në nivelin 2.46%. Ministria e Financave vijoi edhe në ankandet e kësaj jave tërheqjen e sasive të konsiderueshme të borxhit të marrë në tregun e brendshëm. Nga 9.8 miliardë lekë bono 12 mujore që maturohen të mërkurën, u rifinancuan vetëm 5.5 miliardë lekë.


Nga 4.4 miliardë lekë bono 6 mujore, shuma e rifinancuar ishte vetëm tre miliardë lekë. Në total, janë 5.7 miliardë lekë borxh që qeveria nuk i ka rinovuar dhe që ju kanë mbetur në dorë investitorëve. Këtyre ju duhen shtuar edhe 6.4 miliardë lekë të tjera që u tërhoqën nga stoku i borxhit të brendshëm në fund të muajit Nëntor. Në total, në dy javë qeveria e ka ulur borxhin e brendshëm me 12.1 miliardë lekë ose rreth 86 milionë euro.


Kjo shumë borxhi do të zëvendësohet me shtesën prej 150 milionë euro në eurobondin e siguruar në fillim të muajit Nëntor, ndaj pritet që ulja e borxhit të brendshëm të vazhdojë më tej deri në fund të këtij viti. Qëllimi i qeverisë është ulja e borxhit të brendshëm, me qëllim çlirimin e më shumë likuiditeteve të të lira për financimin e sektorit privat. Por, në kushtet kur kreditimi neglet i plogësht, në radhë për parë në mungesë të një kërkese të shëndetshme për kredi, kjo lëvizje mund të shndërrohet në problem për ata investitorë që kanë sasi të mëdha të investuara në borxhin publik.


Ajo mund të përkthehet në çlirim të kreditimit dhe ulje të normave të interesit, që ngelet e vetmja formë alternative e investimit financiar në tregun e brendshëm. Megjithatë, sasitë e kredisë që mund të absorbojë tregu i brendshëm në një situatë të kërkesës së dobët mund të jenë të kufizuara. Kjo situatë mund të rrisë akoma më shumë likuiditetin e tepërt, sidomos tek ato banka që kanë pjesë të lartë të tregut të bonove dhe të depozitave të publikut. Rrjedhimisht, shtimi i likuiditetit të lirë te bankat më të mëdha mund të bëjë që ato të ulin akoma më shumë interesin e depozitave në lekë.


Më të lexuarat