Secondary Adv

Vonesa me rrugen Uji i Ftohte-Orikum, problem shpronesimet dhe projekti

Ndërhyrja nga Uji i Ftohtë në Orikum dhe ndërtimi i By-pass-eve pjesë e projektit 100 mln dollarë, ka hasur probleme të shumta sa i takon zbatimit në terren.

 

Kontrolli i Lartë i Shtetit ka parë nga afër ecurinë pas një auditimi në Fondin Shqiptar të Zhvillimit (Fondi Shqiptar i Zhvillimit) ka konstatuar se specifikisht rrugët në fjalë janë përfshirë nga vonesa të shumta.

 

Kështu, sipas dokumenteve së pari problematika ka shfaqur faza paraprake e dëgjesave me publikun dhe të prekurit më pas kanë kundërshtuar vendimin për shpronësim.

 

“Nga auditimi i dokumentacionit të vendosur në dispozicion në lidhje me dëgjesa publike rezulton një listë me pjesëmarrës për takimin e zhvilluar në Bashkinë Vlorë date 16.07.2020 me 14 pjesëmarrës dhe takimi është institucional pasi ka vetë pjesëmarrës nga institucionet Bashkia Vlorë dhe FSHZH dhe vetëm 2 pjesëmarrës nga fusha e biznesit.

 

Nga FSHZH në lidhje me dëgjesat publike konstatohet se nuk janë kryer publikimet në regjistrin elektronik për konsultimet si dhe publikimi në programin e transparencës,” thuhet në auditim.

 

Së dyti, nga ana e audituesve është vërejtur se projekti ka ndryshuar dhe se këto elementë të rinj në të kanë kërkuar nxjerrjen e një leje të re nga ana e Bashkisë Vlorë e cila edhe ajo ka shfaqur vonesa.

 

Nga ana e operatorit fitues të zbatimit të projektit është deklaruar se është bërë aplikimi por se nxjerrja e lejes duhet të bëhet nga bashkia.

 

Po kështu, Fondi Shqiptar i Zhvillimit vlerësohet se është i ekspozuar ndaj rrezikut të paraqitjes së ankesave nga ana e kontraktorit për vonesa në kryerjen e pagesave sipas kushteve të kontratës.

 

“Pas ndryshimit të projektit fillestar të dorëzuar nga ana e projektuesit BOE I.&A.& S. C., rezulton se objekti nuk disponon akoma leje ndërtimi, nuk është dorëzuar sheshi i ndërtimit, punimet në terren nuk kanë filluar dhe janë ende në proces procedurat për shpronësimet.

 

Aktualisht kontraktorit nuk i është paguar shuma prej 1,445,707.774, situatë kjo e cila e ekspozon ndjeshëm FSHZH ndaj riskut të paraqitjes së ankesave nga ana e Kontraktorit për vonesa në kryerjen e pagesës sipas kushteve të kontratës “thuhet në dokument.

 

Pengesa janë shfaqur edhe sa i takon shpronësimeve të cilat kanë pasur ecuri të ngadaltë. Kjo rrugë është parashikuar ti shërbejë jo vetëm banorëve të zonës midis Ujit të Ftohtë deri në Orikum, por edhe të gjithë turistëve vendas dhe të huaj të cilët frekuentojnë zonën bregdetare jugore të Shqipërisë.

 

Projekti fillon në dalje të Tunelit tek Uji i Ftohtë, Vlorë dhe përfundon tek Marina në Orikum, me një gjatësi totale prej 10.75 km.

 

Burimi: Monitor https://www.monitor.al/rruga-uji-i-ftohte-orikum-mes-vonesash-probleme-me-projektin-dhe-shpronesimet/


Më të lexuarat