Secondary Adv

Zbardhet projektligji i amnistise fiskale per pasurine e emigranteve

66 % e shqiptarëve të pyetur nga Këshillimi Kombëtar ishin pro amnistisë së kursimeve të emigrantëve.

 

Pas rreth 2 muajsh nga dalja e këtij rezultati, qeveria rikthen në konsultim projektligjin e bllokuar prej dy vitesh për legalizimin e parave të padeklaruara jo vetëm të emigrantëve,

 

por edhe të qytetarëve shqiptar që janë rezidentë këtu, legalizohen të ardhurat e padeklaruara të bizneseve dhe paratë e padeklaruara të shtetasve të huaj që janë tatimpagues në Shqipëri.

 

Nëpërmjet kësaj nisme qeveria bën të mundur reduktimin e cash në ekonomi, formalizon ekonominë pasi paratë do të deklarohen dhe nga ana tjetër siguron të ardhura për shkak të tatimit që do të mblidhet.

 

Në nenin 9 të projektligjit që nis me deklarimin dhe pasurive dhe pasqyrave financiare që targeton bizneset thuhet se atyre do ju jepet mundësia që të “deklarojnë vullnetarisht pasuritë dhe elemente të pasqyrave financiare që nuk i kanë deklaruar më parë apo i kanë deklaruar në një vlerë më të vogël se ajo çfarë duhet të deklaronin pavarësisht nëse pasuritë, në tërësinë e tyre, janë të paregjistruara në autoritetet kompetente, apo ndodhen ose jo në territorin e Republikës së Shqipërisë”.

 

Deklarimi i bizneseve për kapitale apo pasqyrat financiare do të bëhet sipas përcaktimeve të Ministrisë së Financave. Audituesit që kanë kryer kontrollet e bilanceve të këtyre subjekteve që kanë nën deklaruar fitimet do të jenë të përjashtuar nga përgjegjësia lidhur me këto diferenca.

 

Nëpërmjet amnistisë bizneseve ju jepet mundësia të formalizohen, duke legalizuar bilancet e tyre, pasi fenomeni i të punuarit me bilance të dyfishta është prezent në Shqipëri ku shumë subjekte kanë kryer evazion fiskal përmjet fshehjes së të ardhurave.

 

Pavarësisht se informaliteti nuk matet, vlerësime të tërthorta të bëra nga institucionet e huaja flasin për një nivel prej afro 30-40% në Shqipëri.

 

Falje fiskale e penale për mos deklarim pasurie!

Nisma e qeverisë parashikon një amnisti të plotë fiskale (duke ju falur detyrimet e papaguara nga mos deklarimi i të ardhurave) por dhe penale (duke i përjashtuar nga hetimi tatimor dhe procedimi penal për fshehje pasurie).

 

Në projektligjin e rishikuar ndryshe nga drafti i parë është vendosur kufizimi që pasuria luajtshme dhe e paluajtshme që lejohet të deklarohet vullnetarisht nuk duhet të kalojë vlerën maksimale 2 milionë euro.

 

Nuk do të mund të deklarojnë pasuritë e fshehura të gjithë subjektet që kanë detyrimin ligjor për deklarimin e pasurisë, në zbatim të ligjit,

 

“Për deklarimin dhe kontrollin e pasurive, të detyrimeve financiare të të zgjedhurve dhe të disa nëpunësve publikë”, të ndryshuar, si dhe personat në përbërje të certifikatës familjare të tyre (politikanë, ministra, deputetë, president, gjyqtar, prokuror etj).

 

Përjashtohen nga përfitimi i amnistisë të gjitha subjektet e ligjit për parandalimin e krimit të organizuar dhe trafikimit, individët që janë shpallur ose që janë në proces shpallje për financim terrorizmi. Nuk përfitojnë ata subjekte për të cilët ka nisur procedura penale për evazion tatimor dhe doganor.

 

Njësi Speciale për deklarimin vullnetar të pasurisë!

Për të realizuar deklarimin e pasurisë do të ngrihet Njësia për Mbikëqyrjen e Deklarimit Vullnetar të Pasurive që është në varësi të drejtorit të Përgjithshëm të Tatimeve.

 

Kjo njësi që do organizohet dhe do funksionojë me urdhër të Ministrisë së Financave do duhet që të sigurojë ruajtjen e kofidencialitetit të informacionit që disponon nga deklaruesit vullnetar, dhe në të njëjtën kohë duhet të marrë informacion nga shumë institucione të përfshira në procesin e deklarimit vullnetar.

 

Të gjithë subjektet përfituese do ta bëjnë deklarimin vullnetar nëpërmjet një formulari vetë-deklarimi pranë njësisë së ngritur, dhe në nenin 9 pika 4 specifikohet se

 

“në lidhje me llojin dhe vlerën e pasurisë që deklarojnë vullnetarisht në formularin përkatës, nuk shërbejnë si indice apo provë për ndjekjen apo procedimin penal dhe/ose administrativ të subjekteve përfituese”.

 

Pasi do të marrin formularin nga njësia, subjektet do të paraqiten në bankë duke dorëzuar një kopje të formularit për depozitimin e parave, më pas bankat pas verifikimit të vërtetimit pajis subjektin me vërtetim depozitimi dhe mbajtjen e tatimit,

 

dhe menjëherë bankat apo institucionet e tjera financiare njoftojnë menjëherë Njësinë mbi depozitimin e shumës në të holla dhe përputhshmërinë e kësaj shume me vlerën e deklaruar në formular.

 

Edhe për pasuritë e tjera të padeklaruara të paluajtshme, deklarimi do të bëhet pranë Njësisë.

 

Tatim me dy fasha për deklarimin e pasurive!

Subjektet përfituese të këtij ligji ndryshe nga drafti i parë do të kenë 9 muaj për të deklaruar dhe jo 1 vit. Si për paratë ashtu edhe për pasuritë e paluajtshme do të ketë dy fasha tatimore.

 

7% tatim për ata që bëjnë deklarimin për 4 muajit e parë dhe 10% tatim për ata që bëjnë deklarim 4 muajit e dytë. Të njëjtat fasha tatimi do të aplikohen edhe për bizneset. Ndërsa aktualisht tatimi është 15% për deklarimin e pasurisë.

 

Ndërsa ata subjekte që kanë bërë deklarimin e parave në llogari dhe vendosin të investojnë në tituj shtetëror, bono thesari dhe obligacione jo më të vogla se 2 vite do ketë tatim më të ulët.

 

5% tatim për investimin e bërë në 4 muajit e parë dhe 7% tatim për 4 muajit e dytë. Ndërsa në draftin e parë ishte parashikuar që deklarimi do të bëhej me 3 fasha.

 

Ata që deklarohen në 4 muajit e parë do të paguajnë tatim 5%, të dytët 7% dhe të fundit që deklarojnë pasurinë paguajnë 10%. Aktualisht kush deklaron pasurinë paguan 15% tatim mbi vlerën.

 

Paratë do mbyllen në banka!

Paratë e deklaruara në kuadër të këtij ligji nuk mund të transferohen jashtë shtetit për një periudhë të paktën 5 vjeçare nga momenti i depozitimit, pasi nëse deklaruesi bën kërkesë për ti transferuar do ti mbahet si penalitet 30% të shumës së transferuar.

 

Vlera e penalitetit kalon menjëherë nga bankat në thesarin e shtetit. Madje në pikën 3 të nenit 11 thuhet se subjekti deklarues nuk mund ti tërheqë shuma në të holla të depozituara deri në përfundim të afatit të zbatim të këtij ligji.

 

Deklaruesit vullnetar të pasurive, të mbrojtur me ligj!

Të gjitha subjektet që do të deklarojnë pasuritë e tyre përjashtohen nga detyrimi i dhënies së informacionit pranë institucioneve përkatëse administrative në lidhje me kohën, mënyrën e krijimit, mbajtjen apo posedimin e pasurive të deklaruara.

 

Nëpërmjet ligjit ju jepet garanci për mos-diskriminimin në të ardhmen, në procedurat e përllogaritjes së detyrimeve tatimore, ruhet konfidencialiteti, përjashtohen nga hetimi tatimor për evazion dhe ndjekjet penale si dhe nuk do të vendoset masë sekuestro apo konfiskim ndaj pasurive të deklaruara vullnetarisht.

 

Kritikat për amnistinë fiskale e penale!

Jo vetëm ekspertët vendas por edhe institucionet ndërkombëtare e kanë parë me skepticizëm realizimin e amnistisë fiskale e penale në Shqipëri, për shkak se paraqet rrezik serioz për pastrimin e parave.

 

“Ne ritheksojmë këshillën tonë kundër një amnistie të mundshme fiskale, duke pasur parasysh shqetësimet për ndikimin e saj në përmbushjen tatimore, si dhe rreziqet që lidhen me pastrimin e parave dhe administrimin tatimor”, tha FMN në vizitën përmbyllëse të Ekipit të FMN-së në Shqipëri më 19 maj.

 

Për shkak të kritikave dhe skepticizmit të ekspertëve dhe institucioneve të huaja, qeveria vendosi të tërhiqte draftin e parë për ta rishikuar atë./Burimi: Shqiptarja.com


Më të lexuarat