Secondary Adv

Cregjistrohen 530 biznese, 556 subjekte pezullojne aktivitetin

Ritmi i çregjistrimeve të bizneseve u rrit për herë të parë gjatë këtij viti në nëntor 2015. Megjithatë, në bilanc, numri i shoqërive të reja që u regjistruan për herë të parë, është katër herë më i madh sesa i subjekteve që mbyllen.

 

Sipas të dhënave të Qendrës Kombëtare të Regjistrimeve (QKR), 530 biznese u mbyllën gjatë muajit nëntor. Akoma më i lartë është numri i atyre sipërmarrjeve që kanë kaluar në status “të pezulluar”.Gjatë muajit nëntor, numri i këtyre subjekteve të kaluar në status jo aktiv ishte 556. Sipas të dhënave të QKR-së, në nëntor numri i aktivizimeve të kompanive që ishin të pezulluara arriti në rreth 200. Ndërkaq, çregjistrimet për periudhën janar-nëntor 2015, kapin shifrën e mbi 3500 bizneseve. Nga janari në tetor 2015 numri i çregjistrimeve të bizneseve, sipas QKR-së, ishte 3303, rreth 300 biznese më pak se e njëjta periudhë e një viti më parë, që ishte 3625 raste. Pra, muaji nëntor ndryshon tendencën për rritjen e çregjistrimeve. Ky fenomen ndodh paralelisht me shtimin e listës së subjekteve me borxh tatimor që publikohet nga Tatimet.


Borxhi tatimor
Deri më 11 shtator 2015, sipas Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, numri i subjekteve të futura në listën e borxhlinjve tatimorë, për të cilët bëhet mbledhja me forcë e detyrimit, ishte 12682, ndërsa në 30 shtator 2015, në kulmin e operacionit kundër informalitetit arriti në 13499 subjekte (rritja 817 kompani). Ndërsa më 21 tetor 2015, data e fundit e përtëritjes së listës, kjo shifër arriti në 13778, me një rritje prej 259 ndërmarrjesh.


Bizneset e reja
Ndërkohë, numri i bizneseve të regjistruara për herë të parë gjatë muajit nëntor ishte 2235 nga rreth 1050 që ishte në vitin 2014. Duke pasur parasysh se kjo është efekt i operacionit kundër informalitetit, i cili vazhdon, pritet që kjo tendencë të vazhdojë deri në fund të vitit. Për 11-mujorin 2015, numri i bizneseve të reja u rrit me 134%, duke arritur në total në 38 000. Në tetor u regjistruan 4122 biznese ose tri herë më shumë se e njëjta periudhë e një viti më parë (1363). Në krahasim me dy muajt e mëparshëm, ritmi i regjistrimeve të reja është ngadalësuar ndjeshëm, sepse u regjistruan ofro 20 mijë biznese.


Shërbimi online
QKR-ja bën me dije se do të kalojë një pjesë të shërbimeve të saj të regjistrimit tërësisht online. Ky shërbim do të mundësohet nëpërmjet portalit qeveritar e-albania në adresën www.e-albania.al. Këto shërbime që do të ofrohen vetëm nëpërmjet sportelit elektronik, do të jenë të vlefshme vetëm për subjektet persona fizikë dhe juridikë me pronësi 100% shqiptare. Shërbimet që do të ofrohen janë: regjistrimi fillestar për të pesta kategoritë e shoqërive; regjistrime të tjera të detyrueshme; regjistrime vullnetare; regjistrimi i pasqyrave financiare/raporteve të auditit dhe veprimtarisë. Për të kryer aplikimin online, sipas QKR-së, duhet të bëhet më parë pajisja me nënshkrimin elektronik pranë operatorit “ALEAT”, i cili është i autorizuar për lëshimin e nënshkrimit elektronik vetëm për individët. Gjithsesi, pushimi i përkohshëm i aktivitetit, aktivizimi i aktivitetit dhe çregjistrimi, do të vazhdojnë të kryhen në sportelet e shërbimit të QKR-së.


Më të lexuarat