Secondary Adv

FSHZH hap tenderat per rigjenerimin urban, projekti per 15 fshatra

Fondi Shqiptar i Zhvillimit ka hapur katër tenderë për ndërhyrje në 15 fshatra turistikë.

 

Secili tender ka një vlerë prej 187 milionë e 500 mijë lekë dhe parashikon ndërhyrje për rigjenerim urban të tyre. Në listën e fshatrave që do t’i nënshtrohen rigjenerimit janë fshatrat e lumit të Vlorës; Hekal, Klos, Vajzë, Plloçë, Tragjas e Kuç.

 

Po ashtu, në listë janë fshatrat Fushë-Studen, Sutaj e Seferan në zonën e Elbasanit dhe fshatrat Vermosh, Lepushë, Curraj i Epërm, Shishtavec, Radomirë dhe Rabdish në veri të vendit. Në listë janë dhe fshatrat Qytezë, Arrëz, Sinicë, Rehovë, Leus e Sotirë.

 

Fshatrat turistikë shihen si një potencial i rëndësishëm në rritjen e ekonomisë dhe për këtë arsye ndërhyrjet për rigjenerimin urban të tyre sjellin jo vetëm rigjenerim fizik të mjediseve dhe ruajtjen e autenticitetit të tyre, por edhe rigjenerim të aktiviteteve që banorët dhe vizitorët zhvillojnë gjatë sezoneve turistike apo dhe gjatë gjithë vitit.

 

Në impaktin social makro, rigjenerimi i këtyre fshatrave çon jo vetëm në përmirësimin e jetës së banorëve të zonës, por edhe rritjen e numrit të turistëve e vizitorëve.

 

Objektivi i përgjithshëm i ndërhyrjes është “Rritja e cilësisë së jetës të komuniteteve që popullojnë këto zona duke mundësuar ri-ekuilibrimin e funksionalitetit dhe imazhit të fshatit”.

 

“Këto ndërhyrje mund të variojnë nga restaurimi i zonave të qendrave rurale dhe trajtimit të fasadave, te krijimi i poleve tërheqëse si destinacione unike referuar si shtëpi muze, qendra të shitjes të produkteve bio,

 

destinacione degustimi e qëndrimi, tipologji agroturizmi si destinacione unike, ritrajtim i aseteve publike lokale, etj.” shkruhet në dokumentet e tenderëve./Burimi: SCAN


Më të lexuarat