Secondary Adv

Projektligji per pyjet, subjektet qe i shfrytezojne detyrim per pyllezim

Në Shqipëri, gjendja e pyjeve konsiderohet në kufijtë e emergjencës. Me projektligjin e ri që është paraqitur në Kuvend e që pritet të diskutohet në komisione është parashikuar që të rritet mbrojtja dhe ndëshkimi i rasteve që abuzojnë me sipërfaqet pyjore.


Në bazë të projektligjit të ri parashikohet ndalimi i eksportit të lëndës drusore të papërpunuar, por edhe vendosja e detyrimeve konkrete për të gjitha subjektet që shfrytëzojnë sipërfaqet e fondit pyjor për zhvillimin e veprimtarive të tjera ekonomike, për të pyllëzuar, në raportin 1 me 3 për çdo dru të prerë, dhe në raportin 1 me 2, për sipërfaqet kullosore, etj.


Me ndarjen e re administrative, ligji përcakton që pronësia e pyjeve dhe kullotave kalon, tashmë, te bashkitë, por në nenin 61, të tij, parashikohet që, për tranferimin e pyjeve dhe kullotave për secilën bashki, do të zbatohen dispozitat e legjislacionit në fuqi për transferimin e pronës publike, çka nënkupton hartimin e 61 vendimeve të Këshillit të Ministrave, që do të shërbejnë si akte individuale transferimi, ku do të jenë të përcaktuar jo vetëm kufijtë, e gjeoreferuar me koordinatat dhe hartat përkatëse të fondit pyjor e kullosor që do t’i kalojë secilës bashki në pronësi, por edhe përshkrimi i llojit/eve të drurëve/kullotave, rrjeti rrugor autopyjor si dhe infrastruktura ndihmëse e tyre.


Projektligji ruan përcaktimin e ligjit në fuqi për ndarjen e të ardhurave që krijohen nga pyjet, kullotat e livadhet publike, në raportin 70% për vetë njësinë e qeverisjes vendore dhe 30% për buxhetin e shtetit, duke kushtëzuar përdorimin e tyre vetëm për punimet e përcaktuara në ligj.Një tjetër element i rëndësishëm është edhe përcaktimi i mënyrave të shitjes së lëndës drusore, kriteret për tregtimin e saj. Në të përcaktohet që njësitë e qeverisjes vendore si autoritet për kryerjen e shitjes së lëndës drusore, nëpërmjet procedurave ligjore në fuqi për ankandet.


Ndërsa sa i përket pronarëve privat ata kanë të drejtë të përdorin pyllin apo kullotën dhe është parashikuar që heqja nga fondi të bëhet për:
– pyjet dhe tokat me bimësi pyjore, sipërfaqet e zhveshura dhe çeltirat, me sipërfaqe deri 100 ha, me vendim të Këshillit te Ministrave;
– pyjet dhe tokat me bimësi pyjore, sipërfaqet e zhveshura dhe çeltirat, me sipërfaqe mbi 100 ha, me ligj të veçantë;
– kullotë e livadh, me sipërfaqe deri 100 ha, me vendim të Këshillit të Ministrave;
– kullotë e livadh, me sipërfaqe mbi 100 ha, me ligj të veçantë.


Më të lexuarat