Ministria e Bujqesise investon 1.6 miliard leke per sigurine ushqimore ne 2016
Ministria e Bujqësisë do të adresojë për sigurinë ushqimore 1.6 miliardë lekë, nga buxheti i vitit 2016. Sipas ekspertëve të bujqësisë, fondi kryesor i shpenzimeve për këtë sektor do të shkojë më shumë në drejtim të forcimit të kapaciteteve laboratorike diagnostikuese, me qëllim rritjen e sigurisë ushqimore në tregjet e vendit.
Ndërsa në vëmendje do të jetë puna e inspektorëve në terren për kontrollin e tregtimit të produkteve në njësitë e shitjes duke respektuar kushtet higjeno sanitare, afatet skadencave etj, probleme që hasen më shpeshë nga konsumatorët.Vitin e ardhshëm, Autoriteti i Kontrollit Ushqimor synon të shtojë inspektimet për produktet e bulmetit dhe të mishit. Ndërsa do të ndalojë çdo rast të therjes dhe tregëtimit të mishit në rrugë jashtë çdo standardi.
Buxheti në tërësi për Ministrinë e Bujqësisë është rritur për vitin 2016 në 10.5 miliardë lekë nga 8.4 miliardë lekë që ishte në vitin 2015. Por, kjo rritje shkon për zërat e tjerë, siç janë menaxhimi i kullimit dhe të ujitjes, i cili këtë vit ka shkuar në 4.2 miliardë lekë, nga 2.9 miliardë që ishte një vit më parë.