Secondary Adv

37 tendera vetem ne qershor, 8.5 mld leke per infrastrukturen e turizmin

Muaji qershor rezulton të jetë një muaj i rëndësishëm për çeljen e fondeve për investime publike.

 

SCAN ka përpunuar të dhënat e APP, ku rezulton se vetëm në muajin qershor 2022, janë shpallur 37 tenderë të mëdhenj, për projekte rehabilitimi të zonave të ndryshme të vendit, ku në fokus është zhvillimi turistik dhe ekonomik, kryesisht i zonave me potencial të lartë për zhvillimin e turizmit.

 

Nga një përllogaritje e bërë, në total vlera e tenderëve arrin në 8.5 miliardë lekë. Në listën e tenderëve të rëndësishëm janë ato për rehabilitimin e fshatrave me potencial turistik, një tender i ndarë në 4 lote, ku secili prej tyre ka një vlerë më shumë se 187 milionë lekë.

 

Po ashtu, një projekt i rëndësishëm i çelur është ai për ndërtimin e këndeve të lojërave dhe hapësirave për fëmijë. Ky tender i emërtuar si “Projekti Dua të Luaj” është i ndarë në dy lote, ku secili ka një vlerë 375 milioonë lekë.

 

Tenderi me vlerën më të lartë është 575 milionë dhe parashikon ndërhyrje në rrugë dhe nyje lidhëse rajonale dhe lokale – ndërhyrje në infrastrukturë rrugore. Ky projekt ndalet te  ndërtimi i disa akseve të rëndësishme rrugore në Dibër, Përmet, Krujë, Lezhë etj.

 

Një tender i rëndësishëm i shpallur është edhe ai për ndërtimin e Lungomarës së Durrësit, me vlerë 416 milionë lekë. Ky projekt do t’i  bashkëlidhet projektit të portit të ri të Durrësit.

 

Një projekt tjetër i rëndësishëm është ai për ndërhyrje restauruese në zonat historike të vendit, me vlerë 541 milionë lekë. Tendera me vlerën mbi 300 milionë lekë janë rreth 16 tendera. Tematikat e tenderave janë ndërhyrje në zonat sportive, historike e rigjenerim urban të fshatrave etj./Burimi: SCAN


Më të lexuarat