Secondary Adv

BSH,borxhi i jashtem rritet me 217 milion euro, shkak huate e qeverise

Gjatë këtij tremujori stoku i borxhit u rrit me rreth 217 milionë euro, ndërsa në krahasim me fundin e tremujorit të tretë të vitit 2014, stoku është rritur me 569 milionë euro, ose 7.6 për qind, raportoi Banka e Shqipërisë.


Rreth 79% e stokut të borxhit është borxh afatgjatë kryesisht në formën e huave, ndërsa pjesa tjetër është borxh afatshkurtër kryesisht i marrë nga sektori bankar.Sektori i qeverisë së përgjithshme zotëron pjesën kryesore të borxhit të jashtëm me rreth 41% të vlerës së përgjithshme. Pjesa tjetër është e shpërndarë midis bankave (17%), sektorëve të tjerë (18%), autoritetit monetar (1%) dhe si hua midis kompanive (22%).Sektori me peshën më të madhe në stokun e borxhit të jashtëm mbetet sektori i qeverisë së përgjithshme.


Në fund të periudhës (T3 2015), borxhi i jashtëm i këtij sektori ishte rreth 3,062 milionë euro ose rreth 17% më i lartë ndaj një viti më parë. Rritja i dedikohet rritjes së stokut të huave afatgjata me rreth 470 milionë euro.Borxhi i qeverisë së përgjithshme përbëhet nga huatë afatgjata, obligacionet dhe dëftesat. Huatë përfaqësohen nga huatë e tërhequra pas viteve ’90 dhe ato të riskeduluara, të cilat vazhdojnë të jenë të negociueshme midis palëve. Në fund të periudhës, huatë e riskeduluara përfaqësonin 1% të stokut të huave afatgjata të qeverisë së përgjithshme.


Stoku i borxhit të “Autoritetit Monetar” ose Bankës së Shqipërisë përbëhet nga huatë afatgjata të akorduara nga FMN-ja (11%), huatë afatgjata të garantuara nga qeveria e përgjithshme (12%) dhe alokimet e SDR-së (77%). Ky stok, në fund të tremujorit të tretë të vitit 2015 shënoi rreth 75 milionë euro duke mbetur në pothuajse të njëjtin nivel krahasuar me një vit më parë.


Në fund të periudhës, stoku i borxhit të jashtëm bruto të sistemit bankar shënoi 1,297 milionë euro duke qenë 64 milionë euro më i lartë sesa një vit më parë. Rritja e stokut të borxhit të bankave ka ardhur kryesisht nga rritja e zërit “monedha dhe depozita” me 14 milionë euro. Në fund të periudhës, përbërësit kryesorë të borxhit të bankave ishin “monedhat dhe depozitat” dhe “huatë”, të cilat përfaqësonin përkatësisht 80% dhe 14% të borxhit total të bankave.Stoku i borxhit të sektorëve të tjerë ishte 1,364 milionë euro, duke shënuar një rritje të papërfillshme në krahasim me një vit më parë dhe duke përfaqësuar rreth 18% të borxhit të jashtëm bruto të ekonomisë. Përbërësi i borxhit të jashtëm në formën e investimeve direkte – huave ndërkompani arriti nivelin prej 1,679 milionë eurosh, dhe shënoi një rritje prej 21 milionë eurosh në krahasim me fundin e tremujorit të tretë të vitit të kaluar.


Më të lexuarat