
Rifillon markimi i karburanteve, terhiqet qeveria dhe nisin negociatat
Rifillon markimi i karburanteve dhe nisin negociatat mes koncesionarit dhe Ministrisë së Financave. Ndërprerja 12-orëshe e aktivitetit ishte në shenjë proteste ndaj refuzimit të qeverisë për të zbatuar, sipas kompanisë GFI, kontratën për shënjimin e naftës bruto.
Ministria e Financave nuk ka dhënë akoma një version zyrtar mbi kërkesat e kompanisë, megjithëse dërgoi në terren një grup pune për të parë nga afër situatën. Menjëherë u krijua mungesë në furnizimin e distributorëve dhe të stacioneve me produktet e naftës. Qysh dje në mëngjes, operatorëve në Porto Romano në Durrës dhe në Vlorë u është dhënë njoftim i koncesionarit se do të ndërpriten operacionet në terren si rezultat i ndërprerjes së kontratës. Përplasja e kompanisë me qeverinë ka filluar menjëherë pas ardhjes në pushtet të socialistëve, për shkak të kërkesës së paplotësuar për të ngjyrosur naftën bruto të importit dhe eksportit. Burime nga kompania i thanë gazetës “Shqip”, se “Ministria e Financave është njoftuar zyrtarisht për këtë veprim qysh në mars 2015. U është kërkuar edhe takim, por asnjëherë nuk është marrë reagim zyrtar. GFI ka kërkuar respektimin e kontratës, konkretisht për markimin e naftës bruto”. Lidhur me mundësitë teknologjike të kompanisë për të kryer markimin e naftës bruto, gjë që Shoqata e Hidrokarbureve e vë në dyshim, burimet e kompanisë deklarojnë se, në tenderin e zhvilluar për këtë koncesion, si rrallëherë, është bërë testim, duke demonstruar ngjyrosjen e naftës bruto. Ky test ka dalë me sukses.
Kompania nuk shprehet se sa mund të jenë humbjet e saj nga ky veprim i qeverisë, por burimet deklarojnë se aktualisht punohet me dy të tretat e kapacitetit, sepse naftën bruto nuk lejohen ta markojnë. “Ne thjesht kërkojmë që të respektohet kontrata, të na jepet aksesi ligjor për të realizuar markimin e naftës bruto. E kemi kërkuar këtë çdo muaj, sepse kemi humbje financiare”, deklarojnë burimet nga GFI. Kjo tërheqje e koncesionarit e vuri doganën para një rasti pa zgjidhje. Në bazë të vendimit të qeverisë të muajit maj 2013, Dogana nuk mund të zhdoganojë karburante që nuk janë markuar (ngjyrosur) nga koncesionari. Kjo është përforcuar edhe me urdhra dhe udhëzime të tjera të mëvonshme. Nëse kjo ndërprerje e aktivitetit do të zgjaste në kohë, do të bllokohej importi dhe për rrjedhim do të krijohej kaos në treg, ku mund të çoroditen edhe çmimet. E gjendur para kësaj situate, qeveria kishte dy rrugë: të bindë kompaninë të rifillojë punën dhe ndërkohë të zgjidhin mosmarrëveshjet ose të ndryshojë vendimin e vitit 2013 dhe të zhdoganojë produktet e naftës të pamarkuara. Kjo e dyta nuk do të ishte e duhura për qeverinë, sepse në kulmin e operacionit kundër informalitetit do të humbte një instrument për të kontrolluar tregun. Ecuria e mbledhjes së akcizës së karburanteve ka qenë në rritje, edhe si pasojë e vendosjes së markimit. Autoriteti i Konkurrencës, në maj të këtij viti, ka rekomanduar që të kërkohet zbatimi me përpikëri i kontratës, si dhe të bëhet një analizë e ecurisë së marrëveshjes duke marrë për vit monitorimi 2014-n.
Koncesioni
Në vitin 2011, kompania austriake “Global Fluid International” i bëri qeverisë shqiptare një propozim të pakërkuar për kryerjen e shërbimit të markimit. Ministria e Financave nisi procedurat për të përgatitur koncesionin. Që në fillim, koncesioni u kundërshtua nga opozita, por qeveria e mbrojti me argumentin se delegimi i markimit te privati do t’u jepte fund abuzimeve me cilësinë dhe evazionit. Në prill 2013, qeveria e miratoi koncesionin 10-vjeçar, i cili do të zotërohej në masën 75 për qind nga “Global Fluids” dhe 25 për qind nga “Petroleum Consulting Partners”. Shoqata e Hidrokarbureve e paditi koncesionin në Gjykatën Kushtetuese, por qeveria aktuale mbrojti koncesionin duke ndryshuar pozicion. Kështu, kërkesa e tretarëve u rrëzua. Megjithatë, bisedimet që kanë nisur mbrëmë, janë nën frymën e mazhorancës për “rregullimin” e kontratave të koncesioneve të lidhur nga qeveria paraardhëse.
Më të lexuarat








