Secondary Adv

Nafta ne bursa rikthehet ne nivelet e para-luftes, ne Shqiperi vijon e larte

Bordi i Tranparencës rriti një ditë më parë çmimin e hidrokarbureve me 9 lekë për litër, ku nafta po shitet aktualisht me 252 lekë për litër, nga 243 lekë që ishte. 

 

Ndërkohë që duhet theksuar se Bordi i Transparencës, gjithnjë pas njoftimit për ndryshimin e çmimeve vendos edhe një shënim të veçantë ku shkruan: “Jemi në monitorim të vazhdueshëm të ecurisë së bursave, me qëllim reagimin sa më të shpejtë”.

 

Por mesa duket këtu vlen të përdoret ajo shprehja: “Tjetër themi e tjetër bëjmë”, pasi nafta në bursë ka rënë, ndërkohë në Shqipëri çmimi i naftës është rritur me 9 lekë.

 

Sot në bursë prej orës 18:40 të mbrëmjes, çmimi i një fuçie naftë ka shkuar 96.03 dollarë, çmim i cili është më i lirë se ai që shitej para luftës në Ukrainë, ndërkohë që në Shqipëri 1 litër naftë shitej afërsisht me 200 lekë litri.

 

Jo më larg se një muaj më parë, pikërisht në 17 qershor kur nafta në bursë tregohej me 116.81 dollarë, çmimi i naftës në Shqipëri ishte 265 lekë litri, që i bie të jetë shitur 13 lekë më shumë se çmimi aktual.

 

Ndërsa në bursë çmimi i naftës është duke rënë në Shqipëri vijon dhe ngrihet. Kujtojmë që 96 dollarë fuçia e naftës në bursë ka qenë në datë 23 Shkurt, një ditë para nisjes së luftës në Ukrainë, pikërisht kur në Shqipëri ishte me 200 lekë litri i naftës.

 

Mesa duket ngritja e Bordit të transparencës nuk po reflekton çmimet e bursës, dhe pyetja që me të drejtë çdokush mund të ngrejë, është se kur Bordi thotë: “Jemi në monitorim të vazhdueshëm të ecurisë së bursave, me qëllim reagimin sa më të shpejtë”, kujt burse i referohet?/Burimi: abcnews.al


Më të lexuarat