Perkeqesohet ekonomia, rriten per te dytin muaj kredite me probleme
Kreditë e pakthyera në afat kanë shënuar rritje për të dytin muaj, në një sinjal se ekonomia po përballet me probleme nga çmimet e larta dhe frenimi i kërkesës.
Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, në maj, treguesi i kredive me probleme arriti në 5.44%, nga 5.42% muajin e mëparshëm, teksa në mars kishte arritur nivelin më të ulët në një dekadë, në 5.24%.
Rritja e raportit të kredive me probleme përkon me një periudhë kur ekonomia dhe konsumatorët janë prekur nga nivelet më të larta të inflacionit në 20 vjet.
Megjithatë, burime nga sektori bëjnë të ditur se rritja e kredive me probleme, të paktën në muajin prill, nuk reflekton ndonjë përkeqësim të përgjithshëm të aftësisë paguese, të lidhur me inflacionin.
Rritja është shkaktuar kryesisht nga kreditë për ndërtimin e inceneratorëve. Procedura e Partneritet Publik-Privat (PPP) e lidhur me ndërtimin e këtyre objekteve është bërë objekt i një hetimi penal nga Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK).
Hetimi ka çuar në arrestimin e zyrtarëve të lartë, shpalljen në kërkim të disa prej aksionerëve të kompanive që kanë fituar këto kontrata dhe vendosjen nën sekuestro të inceneratorëve.
Në vijim të sektuestrimit të objekteve dhe vendosjes së kompanive nën administrim, me sa duket, pagesat e subjekteve për kreditë e marra në banka janë ndërprerë dhe tashmë ato kanë kaluar në status “nën standard”, që përfaqëson kategorinë e parë të huave me probleme, sipas ditëvonesave.
Ky status aplikohet zakonisht për kreditë në vonesë shlyerjeje me më shumë se 90 ditë. Ndërkohë, Banka e Shqipërisë në mbledhjen e fundit vendosi për herë të dytë të rrisë normën bazë të interesit në 1.25%, pasi në mars e kishte rritur me 0.5 pikë përqindje në 1%.
Guvernatori i bankës së Shqipërisë paralajmëroi se rifreskimi i analizës dhe përditësimi i projeksioneve tona sugjeron se inflacioni në vend do të vijojë të mbetet i lartë gjatë vitit 2022.
Rritja e normës bazë pritet të reflektohet dhe në shtrenjtimin e interesave të kredive nga bankat, çka mund të ndikojë në aftësinë paguese të kredimarrësve, duke u bërë një faktor shtesë që do të rrisë barrën e bizneseve, krahas shtimit të kostove dhe frenimit të konsumit prej çmimeve të larta.