Dalin datat e aplikimeve per ne universitet, 6 dite kohe per Formularin A2
Nga 29 korriku deri në 3 gusht, ata duhet të hedhin në Formularin A2 preferencat e tyre, ndërkohë që duhet të presin një muaj më vonë për t’u njohur me rezultatin.
Me të përfunduar sezoni i provimeve, Qendra e Shërbimeve Arsimore ka bërë publik kalendarin me datat e aplikimeve universitare për të tria raundet e garës.
Pavarësisht disa tentativave për të vënë dorë mbi skemë e aplikimregjistrimeve në vitet e fundit, edhe këtë vit është parë e udhës të mbahet e pandryshuar. Do të jenë tri raunde gare me përkatësisht shtatë, pesë dhe tri faza regjistrimesh e çregjistrimesh.
Aplikimet e para hapen në 29 korrik deri në 3 gusht, ku bëhet përzgjedhja e dhjetë degëve. Ndërsa fituesit dalin në fund të muajit. Paçka se universitetet mund t’i shpallin më herët, ngarkimi i rezultateve online me publikimin e renditjes bëhet në 31 gusht.
Të nesërmen është parashikuar ankimimi, ndërsa nga data 2 deri në 15 shtator regjistrimi me shtatë fazat pasuese që presupozon uljen e vizës së kuqe çdo 48 orë.
Në përfundim, janë lënë jo një, por dy ditë çregjistrimesh për ata që bëjnë zgjedhje të gabuara apo ndryshojnë mendje rrugës. Më konkretisht, në datat 16 dhe 17 shtator. Vlen të theksohet se përpara çdo raundi ka një afat për të kryer pagesën e tarifave.
Ajo aktuale zgjat deri në datën 28 korrik. Kujtojmë që pa kryer pagesën në vlerën e pandryshuar prej vitesh, 2 mijë lekë, nota e maturantit nuk hidhet në sistem e rrjedhimisht nuk mund të plotësojë formularin A2.
Nëpërmjet formularit online të aplikimit mbi bazën e notës mesatare sipas VKM-së përkatëse, si dhe kritereve të vendosura nga universitet, maturanti zgjedh deri në 10 programe studimi sipas preferencave të tij.
Pas kryerjes së regjistrimit në degët përkatëse, çdo maturant ka të drejtën e çregjistrimit për 2 ditë rresht në fund të çdo raundi nga një program studimi që ai ka zgjedhur më parë për t’u regjistruar kështu në një tjetër program studimi.
Raundi i dytë i aplikimit nis në datat 22 dhe zgjat deri në 24 shtator, ndërsa raundi i tretë fillon nga datat 19 tetor – 21 tetor 2022.
Ndryshe nga vitet e kaluara, për regjistrimet në vitin akademik 2022-2023, raundi i tretë dhe i fundit që bëhet me qëllim plotësimin e kuotave që mbeten bosh, do të lihet tërësisht në rrjedhje të lirë.
Kushdo që nuk figuron i regjistruar në një degë, mund të paraqitet aty ku ka kuota të lira dhe të regjistrohet pa kurrfarë pengese, pavarësisht faktit nëse e ka listuar në formularin e aplikimit apo jo./Burimi: panorama.al