Te punesuarit ne administrate, kryeministria puneson 303 te rinj
Buxheti i shtetit për vitin 2016 do të të paguaj më pak për të punësuarit buxhetor krahasuar me vitin 2015. Në ligjin e buxhetit të shtetit të miratuar, për vitin 2016 janë parashikuar 81 350 punonjës, dhe janë 7 200 më pak se në vitin 2015.
Gjatë viteve 2011-2014 numri i punonjësve buxhetore ka shënuar tkurrje. Në vitin 2015, numri i punonjësve buxhetorë ndryshoi trendin e viteve të mëparshme duke i shtuar administratës shtetërore 2200 punonjës të rinj.Ky trend në rritje nuk do të vijojë në vitin 2016.. Institucionet me numrin më të madh të të punësuarve edhe për vitin 2016 mbeten Ministria e Arsimit dhe Sportit, Ministria e Brendshme dhe Ministria e Mbrojtjes.
Pavarësisht se kemi një rënie të madhe të numrit të punonjësve në arsim, sërish Ministria e Arsimit dhe Sportit ka numrin më të madh të punonjësve, rreth 38% të totalit. Nga ana tjetër, institucioni me më pak të punësuar është Këshilli Kombëtar i Kontabilitetit me 6 anëtarë ose 0.007 % të totalit.Kjo shifër ka ngelur konstante për të 6 vitet e shqyrtuara sipas Open Data Albania. Kryeministria është institucioni që ka shtesën më të madhe të numrit të punonjësve. Në vitin 2016 ky institucion do presë 303 punonjës të rinj.
Në vitin 2013 ky institucion kishte vetëm 128 punonjës, në 1 janar 2016 numri i punonjësve pjesë e këtij institucioni shkon në 530. Shtesa në numrin e punonjësve do të ketë sërish Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë me 177 punonjës, Ministria e Mbrojtjes me 247 punonjës, Ministria Zhvillimit Ekonomik,Tregtisë dhe Sipërmarrjes me 148 punonjës, Ministria e Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujerave me 128 punonjës. Shtesa në institucionet e tjera mbeten në nivele më të ulëta.