Qeveria 2.5 milion euro per te demshperblyer te permbyturit
2,5 milionë euro i janë dhënë kompanisë për të rimbursuar dëmet e shkaktuara nga përmbytjet e shkurtit të këtij viti. Kryeministri Edi Rama, i shoqëruar nga ministri i Transporteve, Edmond Haxhinasto, i cili ishte dje pasdite për të inspektuar këtë rrugë, ku janë realizuar gjysma e punimeve të parashikuara, asistoi në dhënien e kësaj shume që, ndër të tjera, mundëson dhe vazhdimin e punimeve.
Përfaqësuesi i kompanisë së sigurimeve, duke i dorëzuar publikisht çekun kompanisë së ndërtimit, apeloi për të gjithë bizneset dhe individët që të sigurohen, si mundësia më e mirë, dhe më e sigurt në rast fatkeqësish. “E japim këtë çek publikisht, pasi për të gjithë dëmet që pësojnë sot klientët nga ndryshimi i kushteve klimatike, nuk kanë pse të shkojnë as në dyert e qeverisë, as në ndonjë derë tjetër pasi janë kompanitë e sigurimeve që ju përgjigjen një më një me sigurinë më të madhe”. Ministri i Transporteve Haxhinasto iu bëri thirrje publike të gjithë subjekteve ekonomike dhe individëve që të sigurojnë aktivitetin e tyre.
“By-pass i Fierit është një vepër shumë e rëndësishme për aksin Veri-Jug. Kemi parë punimet, të cilat janë në nivelin 50% të veprës dhe kemi rënë dakord që të ecim me një ecuri më të shpejtë për ta përfunduar këtë vepër në vitin e ardhshëm. Edhe unë dëshiroj që të bëj një thirrje publike, që të gjithë subjektet ekonomike, dhe individët pse jo, të sigurojnë aktivitetin e tyre, me qëllim që të jenë të mbrojtur përpara rasteve të tilla”, u shpreh ministri Haxhinasto.
Ndërsa Kryeministri Edi Rama, dorëzimin e kësaj shume në mënyrë publike, e vlerësoi si një dëshmi e cila përcjell një mesazh shumë të qartë sigurie për sipërmarrjet në radhë të parë, por edhe për të gjitha ato njësi tregtare apo familjare që janë të kërcënuara nga fenomene natyrore. “Ne, për përmbytjet e shkurtit për të cilat u bë shkak edhe ky event i vogël këtu, sot, i jemi përgjigjur një për një në të gjitha nivelet të krizës dhe pastaj dhe pas krizës. Tanimë po bëjmë edhe shpërndarjen e të gjitha parave të konstatuara në bashkëpunim me Komisionin Europian për dëmet në prodhimet bujqësore. Por sidoqoftë rasti konkret e tregon, në rast se kjo kompani nuk do të ishte e siguruar, do të kishte qenë e pamundur që ky dëm i madh që është shkaktuar nga përmbytja në kantierin e vet të ishte dëmshpërblyer”, tha Rama.