Secondary Adv

Qeveria e Kosoves paralajmeron masa per kontrollin e cmimeve te ushqimeve

Ministrja e Industrisë dhe Tregtisë e Kosovës ka paralajmëruar se po shqyrtohen mundësinë për marrjen e masave ligjore për produktet bazike.

 

Çmimi tavan apo caktimi i marzhës janë dy mundësitë që janë duke u shqyrtuar. Produktet esenciale për konsumatorin janë gruri, mielli, buka, vaji, vezët, pastat, qumështi, kripa, detergjenti e të tjera.

 

“Se cila masë do të vendoset për produktet bazike do të vendoset shumë shpejt, vetëm varet nga analiza e situatës”, ka thënë Hajdari në një konferencë për media, më 13 korrik.

 

Hajdari ka shprehur shqetësimin për ngritjen e çmimit të bukës në disa qytete të Kosovës, që sipas saj, po ndodh në kohën kur importi i çmimit të miellit dhe grurit është liruar për 7% në krahasim me muajin maj.

 

Ditëve të fundit në disa qytete të Kosovës, çmimi i bukës është shtrenjtuar nga 40 deri në 60 centë. “Me këtë situatë, ne në vazhdim të analizës nga rrjeti i operatorëve të shitësve me pakicë, shohim që kemi një dallim tepër të lartë. Marzha tregtare e fitimit ka qenë nga 4 deri 19%”, ka thënë ajo.

 

Rreziku nga mungesa e grurit në Kosovë

Edhe kryetari i Shoqatës së Mullisëve të Kosovës, Bashkim Zejnullahu, ka kërkuar që të mos spekulohet me çmimet. Ai ka thënë se në tregun e Kosovës aktualisht ka sasi të mjaftueshme të grurit dhe miellit dhe nuk ka arsye për shqetësim dhe ngritje të çmimeve.

 

Në Kosovë ka filluar procesi i korrje shirjes. Ministrja Hajdari konsideron se nga korrjet-shirjet e grurit Kosova do të sigurojë deri në 70% të kërkesave të qytetarëve me këtë produkt.

 

Qeveria e Kosovës muajin e kaluar ka marrë vendim për caktimin e çmimit tavan për derivate të naftës.

 

Kosova është përballur me rritje çmimesh të produkteve dhe shërbimeve nga fundi i vitit të kaluar, kryesisht për shkak të çrregullimeve në furnizime që ka shkaktuar pandemia e koronavirusit.

 

Hov më të madh atyre u ka dhënë pushtimi rus i Ukrainës, i cili ka nisur në fund të shkurtit. Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, inflacioni në qershor të këtij viti ka arritur 14.1% në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

 

Sipas çmimeve ditore për produktet bazë të publikuara më 12 korrik 2022 nga ASK-ja, një kilogram miell në treg aktualisht shitet për 0.79 euro, një litër vaj 2.93 euro, buka e zakonshme 0.50 euro, një litër qumësht 1.10 euro, kurse 30 kokrra vezë shiten për 3.90 euro.

 

Sipas ASK-së, në muajin qershor të vitit të kaluar një kilogram miell ka kushtuar 0.52 euro, një litër vaj 1.56 euro, një bukë e zakonshme 0.46 euro, një litër qumësht 0.91 euro, kurse 30 kokrra vezë kushtonin 1.92 euro./Burimi: REL


Më të lexuarat