Secondary Adv

Rritja e cmimeve, 370 mln euro me shume te ardhura ne buxhet ne 6 muaj

Çmimet e larta dhe përmirësimi i administrimit të të ardhurave buhetore kanë rritur ndjeshëm të hyrat në buxhet.

 

Ministria e Financave bëri të ditur se të ardhurat në buxhet për 5 mujorin e parë të vitit ishin gati 280 miliardë lekë, me një rritje prej 19%, ose 45 miliardë lekë (370 milionë euro) më shumë se e njëjta periudhë e një viti më parë. Çmimet e larta ndikuan pozitivisht në arkëtimin e më shumë taksave në buxhet.

 

Ministria e Financave bëri të ditur se të ardhurat nga TVSH në import, akciza, taksa doganore dhe renta minerare ishte 18.3 miliardë lekë më shumë me bazë vjetore në 6 mujorin e parë, duke ndikuar në 40% të shtesës totale.

 

Buxheti ka vijuar të jetë me suficit (të ardhurat më të larta sesa shpenzimet) për shkak të ecurisë së mirë të arkëtimeve dhe frenimit të shpenzimeve.

 

Shpenzimet e përgjithshme publike, për muajin e 6 të vitit 2022, arritën në rreth 263 miliard lek me një realizim në masën 88% të planit të periudhës, ndërsa krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2021 ky zë është rezultuar -0.1 përqind më i ulët ose 0.21 milion lek më pak.

 

Niveli i suficitit për periudhën 6-mujore të vitit 2022 rezultoi në rreth 16.090 miliard lek. Krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, ku niveli i deficitit rezultonte në masën prej rreth 29.142 miliard lek.

 

Të Ardhurat

Të ardhurat totale për 6-mujorin e vitit 2022 u realizuan në masën 279.3 miliardë Lekë ose 106 % të planit të 6-mujorit. Krahasuar me një vit më parë të adhurat janë rritur me 45 miliard lekë.

 

Të ardhurat e arkëtuara nga DPT dhe Drejtoria e Përgjithshme e Doganave (përfshirë edhe Kontributet e mbledhura nga DPT), u realizuan në masën 245.8 miliardë lekë, 42.8 miliardë ose 21.1% më shumë, krahasuar me 2021, si dhe 14.3 miliardë ose 6.2% më shumë se plani 6-mujor për vitin 2022.

 

Të ardhurat doganore (të ardhurat nga TVSH në import, akciza, taksa doganore dhe renta minerare) u realizuan në vlerën 103 miliardë lekë, 18.3 miliardë lekë ose 21.6% më shumë se 6 mujori 2021, si dhe 4.6 miliardë lekë ose 4.7% më shumë se plani i të ardhurave doganore për 6 mujorin e vitit 2022.

 

Të ardhurat nga TVSH në import për 6 mujorin rezultojnë 72.5 miliardë lekë, 15.6 miliardë lekë ose 27.4 % më shumë se një vit më parë, si dhe 5.2 miliardë ose 7.8% më shumë se plani për 6 mujorin 2022.

 

Të ardhurat nga akciza janë realizuar në masën 24.2 miliardë lekë, 1 miliardë lekë ose 4.3% më shumë se viti 2021, si dhe 2.2 miliardë lekë ose 8.4% më pak se plani i akcizës për 6 mujorin 2022.

 

Të ardhurat nga renta minerare në eksport janë realizuar në vlerën 2.3 miliardë lekë, 1.1 miliardë ose 86.3% më shumë krahasuar me vitin e kaluar dhe realizim në masën 154.4% kundrejt planit.

 

Të ardhurat nga taksat doganore janë arkëtuar në vlerën 3.9 miliard lekë, 584 milionë lekë ose 17.6% më shumë se 6 mujori 2021, si dhe realizim në masën 126.2% kundrejt planit.

 

Të ardhurat tatimore (të ardhurat nga TVSH neto në vend, tatimi mbi fitimin, tatimi mbi të ardhurat personale, taksat nacionale dhe kontributet e mbledhura nga DPT),

 

për 6 mujorin 2022 u realizuan në masën 142.8 miliardë lekë, 24.5 miliardë ose 20.8% më shumë se 6 mujori i vitit të kaluar, si dhe 9.7 miliardë lekë, ose 7.3% më shumë se plani i 6 mujorit 2022.

 

Të ardhurat nga TVSH e arkëtuar (neto), u realizua në masën 18.6 miliardë lekë, 7.1 miliardë ose 61.9% më shumë se 6 mujori 2021, si dhe 270 milionë ose 1.4% më pak se plani i TVSH për t’u arkëtuar në 6 mujorin 2022.

 

Rimbursimet për periudhën 6 mujore 2022 janë 7.9 miliardë lekë, 7.5 miliardë lekë ose 48.7% më pak se 6 mujori 2021, si dhe 791 milionë lekë ose 9.1% më pak se plani i rimbursimit të TVSH-së për 6 mujorin 2022.

 

Të ardhurat e mbledhura nga tatimi mbi fitimin u realizuan në masën 24.9 miliardë lekë, 7.3 miliardë lekë, ose 41.1% më shumë se 6 mujori 2021, si dhe 7 miliardë lekë ose 39.1% më shumë se plani i vitit 2022 për këtë zë.

 

Tatimi mbi të ardhurat personale është arkëtuar në vlerën 21.6 miliardë lekë, 2.5 milardë lekë ose 13% më shumë se 6 mujori 2021, si dhe 405 milionë ose 1.8% më pak se plani i 6 mujorit 2022.

 

Taksat nacionale, për peridhën 6 mujore 2022 u realizuan në masën 20.7 miliardë lekë, 2.5 miliardë lekë ose 13.6% më shumë se 6 mujori 2021, si dhe 1 miliardë lekë ose 5.1% më shumë se plani i përcaktuar për 6 mujorin 2022.

 

Të ardhurat e mbledhura nga kontributet për sigurimet shoqërore dhe shëndetësore (të administruara nga DPT), u realizuan në masën 57 miliardë lekë, 5.2 miliardë lekë ose 10.1% më shumë se 6 mujori 2021, si dhe realizim 104.3 % të planit për 6 mujorin 2022.

 

Burimi: Monitor https://www.monitor.al/buxheti-arketon-370-milione-euro-me-shume-te-ardhura-ne-6-mujorin-e-pare/


Më të lexuarat