Buxheti 2016, 800 mije dollare per automjete te reja
Qeveria ka autorizuar vitin e ardhshëm rreth 800 mijë dollarë për blerje automjetesh. Sipas tabelave të investimeve që shoqërojnë buxhetin 2016, makina të reja do të blejnë vitin e ardhshëm kryesisht institucionet e pavarura, si Prokuroria, Gjykatat, Shërbimi Informativ Shtetëror, KLSH etj. Edhe këto fonde janë të përfshira në zërin e shpenzimeve kapitale, ose sic njihet ndryshe investimet publike.
Rreth 92 milionë lekë të reja ose rreth 800 mijë dollarë do të përdoren vitin e ardhshëm për blerje automjetesh për institucione të ndryshme shtetërore. Nevojë për makina të reja kanë kryesisht institucionet e pavarura, si SHISH, Prokuroria, KLSH, gjykatat e tj.Nga tabelat e detajuara të investimeve që shoqërojnë buxhetin 2016 rezulton se Shërbimi Informativ Shtetëror ka planifikuar të shpenzojë vitin e ardhshëm 30 milionë lekë për makina dhe parkun e automjeteve, Prokuroria do të shpenzojë një fond prej 30 milionë lekësh për blerje autoveturash, Kontrolli i Lartë i Shtetit do të bëjë një blerje 4 milionë lekë për automjet vitin që vjen, gjykatat 10 milionë lekë, njësia e turizmit në Ministrinë e Ekonomisë do të shpenzojë 10 milionë lekë për automjete, ALUIZNI do të blejë një makinë 3 milionë lekë, Agjencia për Administrimin e Mallrave të Sekuestruara do të blejë një mjet 1 milionë lekë, Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar do të blejë një automjet me vlerë 1.8 milionë lekë etj.
Fondet për blerjen e automjeteve janë përfshirë në zërin e shpenzimeve kapitale, ose ndryshe investimeve publike, çka do të thotë se ato konsidreohen priroitare nga instituicionet që do t’i blejne dhe do të kenë përparësi në lëvrimin e fondeve nga buxheti.