Negociatat, neser Konferenca e pare Nderqeveritare Shqiperi-BE
Delegacioni i Shqipërisë në Konferencën e parë Ndërqeveritare do përbehet nga 25 figura të qeverisë e të administratës që janë kyç në procesin e integrimit.
Delegacioni do të kryesohet nga Kryeministri Edi Rama, dhe përbëhet nga figura kryesore shefja e diplomacisë Xhaçka, kryenegociatori Zef Mazi, zv.min. e drejtorët që merren me çështjen e negociatave.
Është parashikuar që takimi të zgjasë 90 minuta dhe më pas do të ketë edhe një konferencë për shtyp.
Ndërsa delegacioni i BE do të kryesohet nga ministri i jashtëm çek, si vendi që ka presidencën e radhës së BE, ndërkohë që do të marrin pjesë edhe përfaqësuesi i lartë për politikën e jashtme Borrel dhe Komisioneri për zgjerimin Varhelyi.
Vendimi për mbajtjen paraditen e 19 korrikut të Konferencës Ndërqeveritare, që do të shënojë edhe çeljen e negociatave, u mor ditën e shtunë pasi Kuvendi i Maqedonisë se Veriut miratoi sot propozimin francez, duke zgjidhur kështu ngërçin me Bullgarinë.
Shqipëria mori statusin e vendit kandidat në qershorin e vitit 2014, në marsin e 2020, KE vendosi të hapë negociatat për anëtarësimin e Shqipërisë në BE dhe të martën procesi i negociatave nis zyrtarisht me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare.
Ky vendim është përshëndetur edhe nga politika shqiptare dhe zyrtarët e lartë të Bashkimit Europian dhe të SHBA.
Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen e pranishme në Kuvedin maqedonas dy ditë më parë e bëri të qartë që me miratimin e propozimit francez javën tjetër do të mbahet konferenca e parë ndërqeveritare.
Von der Leyen i siguroi maqedonasit se gjuha e tyre do ruhet me 'fanatizëm', por kjo deklaratë solli reagimin e opozitës e cila e quajti presidenten e KE-së tradhtare.
Rrugëtimi i Maqedonisë së Veriut dhe i Shqipërisë drejt Bashkimit Europian tashmë është i lirë, pas zgjidhjes së ngërçit që ishte krijuar nga vetoja bullgare.
Bullagaria dhe Maqedonia e Veriut prej kohësh, kishin mospajtime për çështjen e gjuhës, të identitetit dhe të së kaluarës historike, që bllokuan integrimin e mëtejshëm të Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian si dhe të Shqipërisë.
Franca doli me një propozim prej shtatë pikash, që kërkon lëshime nga të dyja palët. Shkupi, mes tjerash, duhet të angazhohet për ndryshimin e Kushtetutës, me qëllim njohjen e pakicës bullgare si komb i barabartë me të tjerët.
Qeveria maqedonase e ka mbështetur propozimin, por opozita i doli kundër duke zhvilluar në më shumë se dy jave protesta./Burimi: Shqiptarja.com