
Rriten me 5 per qind pagat per sektorin publik ne Bitanine e Madhe
Boris Johnson javën e ardhshme do të ofrojë rritje pagash që arrijnë mesatarisht nivelin e 5 për qind për miliona punonjës të sektorit publik.
Rritja e pagave do të jetë më e lartë sesa ishte propozuar fillimisht nga qeveria; ministrat do të argumentojnë se kjo rritje do të ndihmojë infermierët, mësuesit dhe shumë punonjës të tjerë që të përballen me krizën e kostos së jetesës, pasi inflacioni pritet të arrijë në 11 përqind gjatë vjeshtës.
Por, ministrat janë të përgatitur për muaj të tërë me trazira në sektorin publik dhe atë privat. Sharon Graham, sekretar i përgjithshëm i sindikatës Unite, tha se mund të ketë shumë mosmarrëveshje nëse punëtorët duhet të “paguajnë çmimin e inflacionit”.
BT, kompania që dikur ishte monopol në fushën e telekomunikacionit, po përballet me protestën e parë në 35 vjet, pasi Sindikata e Punonjësve të Komunikacionit njoftoi të premten se 40,000 anëtarë të stafit do të bëjnë grevë më 29 korrik dhe më 1 gusht.
Kjo grevë do të sjellë vonesa në riparimet e linjave të internetit dhe të telefonit për familjet, duke e bërë më të vështirë punën nga shtëpia. Sindikata po i kërkon gjithashtu 115,000 punonjësve të Postës Mbretërore që të votojnë lidhur me një grevë të mundshme në gusht.
Në sektorin publik, mësuesit, infermierët, policët, stafi i burgjeve, nëpunësit civilë dhe forcat e armatosura janë duke pritur që kabineti i Johnson të rishikojë pagat e këtij viti – një nga vendimet e mëdha të pazgjidhura për qeverinë e tij të përkohshme.
Rishikimi i pagave të sektorit publik prek afërsisht 2.5 milionë njerëz, rreth 45 për qind e punonjësve të sektorit publik, me një shumë totale që i kushtoi taksapaguesve 220 miliardë paund në vitin 2021.
Një ministër i kabinetit tha se qeveria do të pranonte rekomandimet e bëra nga organet e pavarura të rishikimit të pagave, të cilat bëjnë propozime për paga bazuar në udhëzimet e vendosura nga ministrat.
Ish-kancelari Rishi Sunak shpresonte që ta mbante nivelin e rritjeve të pagave në 2 për qind për shumicën e rasteve. Por, një ministër tjetër tha se nuk priten rritje që shkojnë mesatarisht rreth 5 për qind, duke pasur parasysh rritjen e fundit të inflacionit.
Sara Gorton, shefja e shëndetësisë për Unison – sindikata më e madhe e sektorit publik – tha për Financial Times se një rritje e tillë nuk ishte e mjaftueshme:
“Një rritje e pagave më e ulët se inflacioni nuk do të mjaftojë për të bindur punonjësit e zhgënjyer në sektorin e shëndetësisë që të vazhdojnë të qëndrojnë në shërbimin shëndetësor.”
Organet e rishikimit të pagave marrin parasysh presionet e rekrutimit dhe të mbajtjes së punonjësve, por gjithashtu duhet të marrin në konsideratë kostot e rekomandimeve të tyre.
Nëse organet e rishikimit të pagave rekomandojnë një rritje tipike prej 5% – e cila do të ndryshojë nga sektori në sektor – dhe nëse ajo zbatohet për të gjithë sektorin publik, kjo do të kushtonte pothuajse 7 miliardë paund më shumë sesa një rritje prej 2 për qind.
“Nëse do të vendoset për një shifër më të ulët se rekomandimet e tyre, do të kursehej pak më shumë fillimisht, por cili do të ishte kursimi neto?” pyeti ministri i kabinetit. “Si përfundim do të kishim më shumë greva dhe një goditje më të madhe ekonomike.
Në çdo rast do të ketë greva, por kjo thjesht sa do t’i bënte gjërat akoma më keq.” Ministri tha se qeveria nuk do të ofrojë rritje “inflacioniste” përtej rekomandimeve të organeve të pagave.
Zëdhënësi i Johnson tha se vendimi në lidhje me pagat e sektorit publik do të merret javën e ardhshme, përpara se deputetët të marrin pushimet e tyre verore më 21 korrik, por nuk pranoi të komentojë për detajet.
Muajin e kaluar, rrjeti hekurudhor u bllokua tërësisht kur Sindikata Kombëtare e Punëtorëve të Hekurudhave, të Detit dhe të Transportit organizoi një seri grevash. Tani, qeveria është përgatitur për aksione të mëtejshme nga punonjësit e hekurudhave përgjatë pushimeve verore.
Network Rail ka ofruar një rritje pagash prej 4 për qind, e ndjekur nga një tjetër rritje 4 për qind e kushtëzuar për vitin e ardhshëm, plus disa bonuse, si dhe premtimin për të mos reduktuar stafin.
Ndërkohë, kreu i ri i Shoqatës Mjekësore Britanike, Philip Banfield, paralajmëroi se një grevë e mjekëve ishte “e pashmangshme” deri në pranverën e ardhshme.
Shoqata votoi muajin e kaluar për një rritje prej 30 për qind të pagave të mjekëve përgjatë pesë viteve, për të rivendosur në nivelet e duhura uljen e të ardhurave të tyre reale që nga viti 2008.
Burimi: Monitor https://www.monitor.al/miliona-britanike-qe-punojne-ne-sektorin-publik-do-te-perfitojne-nje-rritje-page-prej-5/
Më të lexuarat








