Bankers Petrolium: Ne 2016 do te investojme 65 milion dollare
Kompania kanadeze Bankers Petrolium ka programuar që të realizojë 65 milionë dollarë investime për vitin e ardhshëm.Në vëmendje do të jenë investimet në infrastrukturë si dhe ruajtja e një bilanci financiar në një kohë që çmimi i naftës ka rënë ndjeshëm në bursë
Bankers Petrolium do të investojë rreth 65 milionë dollarë vitin e ardhshëm.Buxheti është miratuar nga drejtuesit e bordit të kompanisë dhe do t’i dorëzohet autoriteteve shqiptare për miratimin final.
Plani i investimeve 2016 i jep prioritet strategjisë së kompanisë për të ruajtur një bilanc financiar të fortë përgjatë periudhës aktuale me çmime të ulëta. Ndërkohë që aktiviteti i Bankers do të përqëndrohet edhe në vazhdimin e Programit të Metodave të Dyta për Prodhimin e Naftës, duke shpuar puse të reja në gjysmën e dytë të vitit dhe duke ruajtur nivelet aktuale të prodhimit.
Aktualisht Bankers është në diskutime për kontrata shitjeje në tregun vendas të një pjesë të prodhimit të tij dhe pret që të ketë çmime të njëjta me ato të eksportit duke reduktuar kostot e transportit dhe të eksportit. Një total prej 25 Milionë dollarësh i programit të investimeve do të përdoret për optimizimin e puseve ekzistuese.Ecuria e Prodhimit të Bankers parashikon që nivelet mesatare të prodhimit të ulen rreth 15% gjatë vitit 2016 . Ndërsa pritet të përmirësohet nga fundi i vitit.