Secondary Adv

Rritet cmimi i naftes ne bursa, niveli me i larte ne 2 javet e fundit

Çmimet e naftës u rritën me rreth 1%, pasi ҫmimet e standardit global Brent arritën nivelin më të lartë të dy javëve të fundit ditën e martë.

 

Kjo ndodhi si pasojë e shqetësimeve të tregtarëve për reduktimet e furnizimeve dhe dobësimin e dollarit. Kontratat e së ardhmes për naftën Brent u rritën me 1.08 dollarë, ose 1.0%, duke shkuar në 107.35 dollarë për fuçi.

 

Nafta e papërpunuar e Teksasit Perëndimor (WTI) u rrit me 1.62 dollarë, ose 1.6%, duke shkuar në 104.22 dollarë. Brent shënoi ҫmimin më të lartë që nga 4 korriku, ndërsa WTI arriti nivelin më të lartë që nga 8 korriku.

 

Në një moment gjatë kësaj periudhe me ҫmime të paqëndrueshme, të dy standardet ranë me rreth 2 dollarë për fuçi. “Nafta e papërpunuar ka bërë një kthesë të pabesueshme sot”, tha Robert Yawger, drejtor ekzekutiv për kontratat e së ardhmes për energjinë në Mizuho.

 

“Nuk kishte asnjë titull të madh për të paralajmëruar këtë rritje, por kombinimi i normave të interesit dhe vëllimit të ulët të tregtisë shpesh inkurajon luhatje të tilla të çmimeve,” tha Yawger.

 

Dollari amerikan

Çmimet e naftës janë rritur, edhe si rrjedhojë e frikës për ofertën për shkak të sanksioneve të Perëndimit ndaj Rusisë, nën presionin e përpjekjeve të bankave qendrore për të zbutur inflacionin, gjë e cila ngjalli frikën e një recesioni që mund të reduktojë kërkesën për energji.

 

Të premten, interesi për kontratat e së ardhmes në Bursën Tregtare të Nju Jorkut ra në nivelin më të ulët që nga shtatori i 2015, pasi investitorët reduktuan nivelin e aktiveve me risk të lartë, si për shembull mallrat, të shqetësuar se Rezerva Federale do të vazhdojë të rrisë normat e interesit në SHBA.

 

Tubacioni SHBA-Kanada Keystone po funksiononte me kapacitet të reduktuar të hënën, pas mbylljes së një stacioni pompimi.

 

Shefi i ri i Korporatës Kombëtare të Naftës së Libisë, Farhat Bengdara, hodhi poshtë sfidat për emërimin e tij, ndërsa puna rifilloi në disa fusha dhe porte të mbyllura.

 

Hendeku (spread-i) 3:2:1 i SHBA-së dhe kriza e benzinës – disa indikatorë për matjen e marzheve të fitimit – pësuan rënie duke arritur nivelin më të ulët që nga prilli.

 

Javën e kaluar, presidenti i SHBA vizitoi eksportuesin kryesor të naftës, Arabinë Saudite, udhëheqësin de fakto të Organizatës së Vendeve Eksportuese të Naftës (OPEC), eksportet e së cilës pësuan një rënie gjatë majit duke arritur nivelin më të ulët të katër muajve të fundit.

 

Biden shpresonte të arrinte një marrëveshje për një rritje të prodhimit të naftës për të zbutur çmimet e karburantit, por ministri i jashtëm i mbretërisë tha se problemi i tregut nuk ishte mungesa e naftës së papërpunuar, por mungesa e kapacitetit të rafinimit.

 

Në Shtetet e Bashkuara, pritshmëritë për një rritje të inventarëve të naftës së papërpunuar ndikuan te çmimet. Analistët e anketuar nga Reuters parashikuan se inventarët e naftës së papërpunuar u rritën me 1.4 milionë fuçi javën e kaluar.

 

Të martën, njerëz me dijeni për planet e Biden thanë për Reuters se presidenti planifikon të shpallë të mërkurën masa të reja federale që targetojnë krizën klimatike./Burimi: Reuters/Monitor


Më të lexuarat