E bllokuar prej ditesh per shkak te sulmit kibernetik, hapet e-Albania
Sistemi E-Albania është rikthyer online, pas disa ditësh i bllokuar për shkak të një sulmi kibernetik.
Tatimet thanë për Monitor se deklarimi tashmë vazhdon normalisht edhe për personat që logoheshin përmes e-Albania. Afati i fundit për deklarimet është ora 24 e darkës.
Prej disa ditësh sistemi e-Albania, platforma e qendërzuar e ofrimit të shërbimeve elektronike për qytetarët, bizneset dhe administratën publike, është jashtë funksioni për shkak të një sulmi kibernetik që ka ardhur nga jashtë.
Që prej mesditës së të premtes, nëpërmjet platformave të monitorimit për sigurinë kibernetike të ngritura për sistemet dhe infrastrukturat qeveritare, u vu re një sulm kibernetik kompleks dhe në shkallë të gjerë.
Menjëherë, duke ndjekur protokollet e reagimit, u krye izolimi i infrastrukturave dhe sistemeve qeveritare për të garantuar mbrojtjen e të dhënave, ka sqaruar Kryeministria në një deklaratë për shtyp.
Metodat mbi të cilat aktorët keqbërës kanë vepruar janë të ngjashme me sulmet e vitit të fundit, të vëna re në hapësirën kibernetike ndërkombëtare.
Teknikat mbi të cilat ky sulm mbështetet janë të së njëjtës natyrë me ato të përdorura për një sërë sulmesh kibernetike në domain-et qeveritare dhe private të kohëve të fundit, si në Ukrainë, Gjermani, Lituani, Maltë, Holandë, Belgjikë dhe vende të tjera të rajonit.
Vetëm në Ukrainë këtë vit ka pasur 5 sulme me të njëjtën metodologji, ndërsa në Gjermani i njëjti lloj sulmi ka nxjerrë jashtë funksioni impiantet e prodhimit të energjisë me erë, u tha në njoftimin për shtyp.
Ndërkohë faqja e Qendrës Kombëtare të Biznesit është ende jashtë funksioni. Burimi: Monitor https://www.monitor.al/hapet-e-albania/