Secondary Adv

Kosova nenshkruan marreveshje 35 milione euro me Luksemburgun

Qeveria e Kosovës ka nënshkruar sot dy marrëveshje me Luksemburgun që kapin vlerën e 35 milionë eurove.

 

Luksemburgu ka qenë ndër vendet e para që e ka njohur Kosovën dhe prej atëherë është punuar shumë bashkë, derisa Kosova ka marrë mbështetje deri tani mbi 100 milionë euro.

 

Kosova dhe Luksemburgu kanë intensifikuar marrëdhëniet përmes marrëveshjes së bashkëpunimit për zhvillim, në vlerë prej 35 milionë euro.

 

Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi dhe ministri i Ekonomisë i Luksemburgut, Franz Fayot, kanë nënshkruar marrëveshjen e bashkëpunimit për zhvillim dhe memorandumin e mirëkuptimit për zbatimin e marrëveshjes.

 

Bislimi në një konferencë për media tha se me marrëveshjen dypalëshe, Kosova dhe Luksemburgu po e vendosin kornizën e përbashkët për sa i përket bashkëpunimit për zhvillim mbase përgjatë gjithë dekadës, edhe pse memorandumi përcakton fondet vetëm për periudhën 2023-2025.

 

“Fushat e intervenimit që do të përkrahen nga Luksemburgu i kemi përcaktuar pas diskutimeve intensive mes ekipeve tona dhe ekipit të ministrit.

 

Ato përfshijnë këto prioritete që i ka Qeveria e Kosovës: arsimi, sidomos arsimi profesional, shëndetësia, rritja ekonomike e qëndrueshme, zhvillim i mëtejmë i shoqërisë civile dhe fusha e inovacionit.

 

Shuma aktuale indikative që parashihet me këtë marrëveshje si përkrahje nga shteti i Luksemburgut për Qeverinë e Kosovës për këto 3 vite është 35 milionë euro apo afërsisht 12 milionë euro për secilin vit,

 

që përbën rritje të konsiderueshme në raport me programin e mëparshëm që kishte një shumë vjetore prej 7.5 milionë euro”, tha ai.

 

Bislimi ka thënë se synim afatgjatë i Kosovës është që të thellohet partneriteti mes Luksemburgut dhe të fokusohet në bashkëpunim më të ngushtë ekonomik dhe zhvillimor.

 

Ai ka thënë që e kanë diskutuar mundësinë që në disa prej aktiviteteve ekonomike në Luksemburg ku ky shtet ka mungesë të kapaciteteve humane, të përshtaten me një lloj angazhimi nga distanca me talentet që ka Kosova.

 

Kurse ministrin e Ekonomisë së Luksemburgut, Franz Fayot, tha se për herë të parë po shikojnë përtej bashkëpunimit tradicional. “Sot në Prishtinë është një ditë e mrekullueshme me këtë partneritet mes Kosovës e dukatit të Luksemburgut.

 

Për herë të parë po shikojnë përtej bashkëpunimit tradicional. Kjo marrëveshje që nënshkruam mbulon vitin 2023-2025 me një buxheti prej 35 milionë euro që është një rritje e konsiderueshme dhe kjo tregon përkushtimin që Luksemburgu tregon për Kosovën.

 

Mbesim tek prioritet në arsim, aftësim profesional dhe ky program ka fokus ne TIK dhe tranzicion të gjelbër .Shkëmbimet e para janë zhvilluar nga të dyja palët si me vizitat tona këtu ashtu me delegacionin që ka vizituar Luksemburgun para disa kohesh.

 

Bashkëpunimi do të bazohet në kërkesë dhe nevoja sidomos në tregun e gjelbër në rritjen e ekosistemit të bizneseve të reja dhe të mësoj nga Kosova për ketë fushë.

 

Ndihma e Luksemburgut do të vazhdoj të mbështes shoqërinë civile të Kosovës, Caritasit ku përmes këtij programi Luksemburgu do të ndihmoj Kosovën”.

 

Nënshkrimi i marrëveshjeve u bë nga zëvendëskryeministri Besnik Bislimi dhe Ministri për Bashkëpunim Zhvillimor dhe Çështje Humanitare, njëherit Ministër i Ekonomisë i Dukatës së Madhe të Luksemburgut, Franz Fayot.

 

Burimi: Monitor https://www.monitor.al/kosova-dhe-luksemburgu-nenshkruajne-marreveshje-ne-vlere-35-milione-euro/


Më të lexuarat