Heqja e takses per biznesin e vogel, Konfindustria: Te mos miratohet pa aktet ligjore
Një ditë para seancës plenare për buxhetin dhe paketën fiskale, Konfindustria i bën thirrje Kuvendit të shtyjë miratimin e nenit për përjashtimin e plotë ose uljen e tatim fitimit për biznesin e vogël. Sipas Konfindustrisë, ky nen nuk mund të votohet deri në plotësimin e akteve ligjore pasi do të sillte pasoja të rënda ekonominë dhe mirëqënien e qytetarëve.
“Konfindustria i kërkon deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë pa dallime partiake, që përtej interesave të ngushta politike të çastit, të tregojnë përgjegjshmëri qytetare dhe në seancën plenare për Pr/ligjin e Buxhetit 2016, të shtyjnë në kohë miratimin e nenit për përjashtimin e plotë dhe/ose uljen e tatim fitimit të të ashtuquajturit biznes i “vogël”.
Shtyrja në kohë kërkohet për plotësimin e tij të domosdoshëm me akte ligjore shoqëruese për të shmangur dhe parandaluar pasojat tepër të rënda që mund të shkaktojë zbatimi i tij në formën e tashme për gjithë sistemin fiskal, zhvillimin ekonomik të vendit dhe mirëqënien e qytetarëve shqiptarë në afatgjatë”. Konfindustria vlerëson se “formulimi i tashëm i nenit të mesiperm në Paketen Fiskale 2016 krijon hapësirën ligjore, që nga njëra anë legjitimon informalitetin e sotëm prej 50% të PPB dhe nga ana tjetër rrit trysninë e copëtimit artificial të aktivitetit tregtar te bizneseve të ashtëquajtura të ” medha” me qëllim përfitimin e lehtësirave fiskale”.
Të dhënat e një sondazhi pilot të Konfindustrisë tregojnë që të paktën 35% e biznesit të ashtëquajtuar “i madh” është i gatshëm të shqyrtojë coptimin artificial të aktivitetit për të shmangur konkurencën e padrejtë dhe falimentimin.Konfindustria vlerëson se dukuria e copëtimit artificial të subjekteve është me pasoja të pallogaritshme, të dëmshme për pjesën e biznesit të “madh”, që nuk ndryshon mënyrën e aktivitetit tregtar, si pasojë e konkurencës se pabarabartë.
“Sa më sipër sjell goditjen e nismave sipërmarrëse të rëndësishme, ul aftesine e vendit per thithjen e investimeve të huaja, pengon rritjen ekonomike të shpresuar dhe njëkohesisht do të zvogëlojë ndjeshem objektivisht të ardhurat e planifikuara për vetë buxhetin e shtetit për vitin financiar 2016”. Konfindustria paralajmëron vendimarrjen politike se zbatimi i nenit në fjalë të Paketes Fiskale 2016, për nga përmasat e pasojave të dëmshme për ekonomine dhe mirëqenien e shqiptarëve në afatgjatë do të mund të krahasohet vetëm me Ligjin famëkeq 7501 të Pronave të vitit 1991.