Secondary Adv

Tregu i sigurimeve me rritje dyshifrore, turizmi ndikim te rendesishem

Tregu i sigurimeve e mbylli gjysmën e parë të vitit me rritje dyshifrore, i mbështetur sidomos nga sektorët e lidhur me turizmin.

 

Sipas të dhënave nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, primet e shkruara bruto arritën vlerën e gati 9.8 miliardë lekëve, në rritje me 10.25% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

 

Gjatë muajit qershor, rritja e tregut ka shënuar një ngadalësim të lehtë në raport me rritjen prej 10.9% të 5-mujorit.

 

Ngadalësimi ka ardhur kryesisht nga segmenti i sigurimit të Jetës, ku rritja është përgjysmuar në 9% (nga 18.1% që kishte për 5-mujorin), ndërsa tregu i sigurimit të Jo-Jetës e mbylli 6-mujorin me rritje në nivele të ngjashme me 5-mujorin, me një rritje 10.2%.

 

Tregu tashmë paraqitet në mënyrë të qëndrueshme për niveleve të periudhës së para pandemisë. Primet e shkruara bruto paraqiten në rritje me 20% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2019.

 

Një ndikim të rëndësishëm në rritjen e tregut të sigurimeve edhe këtë vit po japin aktivitetet e lidhura me turizmin dhe udhëtimet, që shfaqin norma të larta të rritjes.

 

Sipas AMF, primet e shkruara bruto në produktin e kartonit jeshil u rritën me 46% kundrejt vitit të kaluar. Kartoni jeshil është siguracion i detyrueshëm, i kërkuar për të lëvizur jashtë vendit me një automjet të regjistruar në Shqipëri.

 

Ky produkt këtë vit solli 9.25% të primeve të shkruara bruto, nga 7% në të njëjtën periudhë të një viti më parë. Rritje të lartë shënoi edhe sigurimi i aksidenteve në udhëtim, me 41% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

 

Edhe ky produkt është i lidhur kryesisht me udhëtimet jashtë vendit, por megjithatë në vlerë pesha e tij në tregun e sigurimeve është e vogël, me 3.1% të totalit. Tjetër produkt që në mënyrë të tërthortë lidhet me turizmin është sigurimi Kasko.

 

Për 6-mujorin 2022, primet e shkruara bruto në këtë produkt u rritën me 18% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Sigurimi Kasko në Shqipëri aplikohet sidomos në financimet me leasing dhe veçanërisht në biznesin e makinave me qira.

 

Edhe ky biznes po rritet falë shtimit të turistëve të huaj. Sipas INSTAT, për 6-mujorin e parë hyrjet e shtetasve të huaj ishin në nivelet më të larta historike. Shumica e produkteve të tjera të tregut të sigurimeve këtë vit paraqiten në rritje.

 

Produkti kryesor i tregut, sigurimi i brendshëm motorik për përgjegjësitë ndaj palëve të treta, shënoi një rritje me 6.6% krahasuar me një vit më parë. Ndërsa produkti kryesor i sigurimit vullnetar vazhdoi tendencën në përmirësim edhe gjatë muajit qershor.

 

Për herë të parë këtë vit, ai kaloi nivelet e vitit të kaluar, me një rritje të primeve të shkruara prej 13.4%, ndërkohë që deri në fund të 5-mujorit rezultonte në rënie me 1.8%.

 

Ndërkohë, ndër të paktët produkte që paraqiten në rënie për 6-mujorin e këtij viti janë sigruimet e garancive dhe ato të përgjegjësive civile.

 

Duke qenë se këto produkte sigurimi lidhen në një masë të konsiderueshme me punët publike, ecuria e ngadaltë e investimeve buxhetore në gjysmën e parë të këtij viti mund të ketë dhënë një ndikim frenues te këto produkte.

 

Burimi: Monitor  https://www.monitor.al/tregu-i-sigurimeve-u-rrit-me-10-25-per-6-mujorin-turizmi-po-jep-ndikim-te-rendesishem/


Më të lexuarat