
FMN ul parashikimet e rritjes globale, inflacioni i larte kercenon recesionin
FMN uli përsëri parashikimet e rritjes globale, duke paralajmëruar se rreziqet nga inflacioni i lartë dhe lufta mund ta shtyjnë ekonominë botërore në prag recesioni.
Rritja reale e PBB globale do të ngadalësohet në 3.2% në vitin 2022 nga një parashikim prej 3.6% i parashikuar në prill, tha FMN në përditësimin e fundit të Perspektivës Ekonomike Botërore.
PBB-ja botërore në të vërtetë u tkurr në tremujorin e dytë për shkak të rënieve ekonomike në Kinë dhe Rusi, shtoi FMN.
Me ulje parashikohet edhe rritja ekonomike për vitin 2023 në 2.9 për qind, nga 3.6 për qind që ishte nga parashikimi i prillit, duke u ndikuar nga shtrëngimi i politikës monetare.
Ekonomia botërore u rimëkëmbë në vitin 2021 në 6.1% pasi pandemia e Covid goditi prodhimin global në vitin 2020 duke e tkurrur me 3.1%. “Perspektiva është errësuar ndjeshëm që nga prilli.
Bota së shpejti mund të jetë në buzë të një recesioni global, vetëm dy vjet pas atij të fundit,” tha në një deklaratë kryeekonomisti i FMN-së Pierre-Olivier Gourinchas.
Fondi tha se parashikimet e tij të fundit janë “jashtëzakonisht të pasigurta” për shkak të luftës ruse në Ukrainë.
Sipas një skenari alternativ “të besueshëm” që përfshin një ndërprerje të plotë të furnizimeve me gaz rus në Europë deri në fund të vitit dhe një rënie të mëtejshme prej 30% në eksportet e naftës ruse,
FMN tha se rritja globale do të ngadalësohej në 2.6% në 2022 dhe 2% në vitin 2023, me rritje praktikisht zero në Europë dhe Shtetet e Bashkuara vitin e ardhshëm.
Rritja globale ka rënë nën 2% vetëm pesë herë që nga viti 1970, tha FMN, duke përfshirë recesionin e vitit 2020 për shkak të COVID-19.
FMN tha se tani pret që norma e inflacionit për vitin 2022 në ekonomitë e zhvilluara të arrijë në 6.6%, nga 5.7% nga parashikimet e prillit, duke shtuar se do të mbetet e lartë më gjatë se sa ishte parashikuar më parë.
“Inflacioni në nivelet aktuale përfaqëson një rrezik të qartë për stabilitetin makroekonomik aktual dhe të ardhshëm dhe kthimi i tij në objektivat e bankës qendrore duhet të jetë përparësia kryesore për politikëbërësit,” tha Gourinchas.
PBB-ja amerikane do të rritet në 2.3% gjatë këtij vit, dhe me një rritje anemike prej 1 për qind në vitin 2023.
Fondi uli thellësisht parashikimin e rritjes së PBB-së për Kinën për 2022 në 3.3% nga 4.4% në prill, duke nënvizuar shpërthimet e Covid dhe bllokimet në qytetet e mëdha të cilat kanë kufizuar prodhimin dhe kanë përkeqësuar ndërprerjet globale të zinxhirit të furnizimit.
Edhe për Eurozonën FMN uli perspektivën e saj të rritjes për vitin 2022 në 2.6% nga 2.8% në prill.
Ulje më të madhe parashikohet në vendet me më shumë ekspozim ndaj luftës, duke përfshirë Gjermaninë, PBB e së cilës parashikohet të rritet në 1.2% për vitin 2021 nga 2.1 për qind që parashikohej në prill.
Ekonomia e Rusisë pritet të tkurret me 6.0% në vitin 2022 për shkak të shtrëngimit të sanksioneve financiare dhe energjetike perëndimore dhe një rënie të mëtejshme prej 3.5% në vitin 2023, tha FMN.
Fondi vlerëson se ekonomia e Ukrainës do të tkurret me rreth 45% për shkak të luftës, por vlerësimi vjen me pasiguri ekstreme.
Burimi: Monitor https://www.monitor.al/fmn-ul-parashikimet-e-rritjes-globale-paralajmeron-se-inflacioni-i-larte-kercenon-recesionin/
Më të lexuarat








