Secondary Adv

Doganat, bien te ardhurat, rritet borxhi tatimor

Auditi i Brendshëm i Doganave në një analizë nëntëmujore të punës për këtë vit ka evidentuar se, treguesit e nivelit të degëve doganore të audituara nuk janë në nivele pozitive.Të ardhurat gjatë periudhës së audituar paraqiten me mosrealizim.


Në raportin zyrtar të auditit që është publikuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, rezulton se, “treguesit e borxhit doganor janë në shifra jashtëzakonisht të larta”. Më tej në raport thuhet se, ecuria e arkëtimit të tij është tepër e ulët. Për vitin 2015 (01.01.2015 – 30.09.2015) Drejtoria e Auditit të Brendshëm ka përfunduar tri auditimet e filluara gjatë muajve të fundit të vitit 2014, si Doganën Tiranë, Doganën Qafë-Botë dhe misionin për rakordimin e bashkëpunimit me “Crown Agents”. Janë kryer raportet për nëntë misione auditimi në doganat Vlorë, Kukës, Rinas, Kapshticë, Kakavijë, Elbasan, Shkodër, Lezhë dhe Tre Urat, si dhe janë në proces auditimi në terren tri misione, në doganat Fier, Bllatë dhe Berat.


“Gjatë kësaj periudhe është kërkuar edhe shërbim konsulence nga titullari i institucionit për përputhshmëri ligjore në transaksione financiare të përjashtimit nga TVSH-ja, të cilat kanë përfunduar me dhënien e mendimit për një vendimmarrje të drejtë dhe ligjore”, thekson raporti. Disa nga fenomenet kryesore negative të konstatuara nga auditimet janë shmangia e akteve nënligjore, mungesat në staf, mosplotësimi i saktë i dokumentacionit. Sistemi i funksionimit dhe i mbikëqyrjes së regjimit të përpunimit aktiv në disa dogana nuk ofron siguri. Ka mangësi si në drejtim të organizimit të punës, të mbikëqyrjes së subjekteve ashtu edhe në administrimin e dokumentacionit.


 Janë konstatuar probleme në mbikëqyrjen e koeficienteve të shfrytëzimit të lëndës së parë të importuar për subjektet që operojnë nën regjimin e përpunimit aktiv dhe në procedurat e ndjekura në dhënien e destinacionit të mbetjeve teknologjike. Në disa raste është konstatuar edhe fiktivitet në deklarimin e sasive të mallrave, të cilat transferohen nga njëri autorizim në autorizimin tjetër, kjo për efekt të mbylljes së autorizimit të mëparshëm pa gjendje malli. Auditi konstaton edhe mungesën e kontrolleve fizike në ambientet e këtyre subjekteve.


Më të lexuarat